Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi të mërkurën se, nëse zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë partia e tij, atëherë ajo do të punojë për një qeverisë më të mirë për zhvillimin ekonomik.

Duke folur para të rinjve, ish-kryeministri Haradinaj parashtroi disa pyetje, ndërsa u përgjigj se përvoja e tij do t’i ndihmojë në qeverisje.

“A do të jetë qeverisja e suksesshme në Kosovë në rast se ne fitojmë zgjedhjet? Ju them se po. Pse? Sepse kam përvojën time. Unë flas për qeverisjen si një punë që kam pasur rastin të bëj, e kam filluar por s’e kam përfunduar. Duke i njohur mundësitë tona, resurset e vendit dhe të gjitha ato aspekte që bëjnë qeverisjen, unë e di që mund të fillojmë menjëherë zhvillimin cilësor”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj gjatë këtij takimit me të rinjtë shtoi se është me rëndësi që të fitojë AAK-ja, pasi ajo do të mund të heqë të gjitha dilemat dhe hezitimet që mund të jenë pengesë për një qeverisje të mirë në vend.

Disa ditë më parë Haradinaj përjashtoi mundësin e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës, pas dështimit të kësaj mundësie. Haradinaj pohoi se PDK-ja do të ishte mundësia e fundit për koalicion, ndërsa tha se nuk përjashtonte LDK-në e as Vetëvendosjen.

“Ne synojmë partnerë mundësisht jashtë PDK-së. Kjo do të thotë se në rrethana të jashtëzakonshme mund të bashkëpunojmë, por synojmë jashtë PDK-së. Ata nuk e kanë të gjatë. Ndërkohë, ne nuk përjashtojmë as Vetëvendosjen e as LDK-në. E fundit PDK-ja”, deklaroi Haradinaj. 

Top Channel