Franca dhe Britania do të shqyrtojnë mundësinë për armatosjen e opozitës siriane, edhe nëse kjo do të jetë në shkelje me embargon e BE-së, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius.
Duke folur për një stacion radiofonik francez, Fabius ka thënë se dy vendet ndajnë pikëpamje identike në lidhje me heqjen e embargos së armëve.
Ai ka thënë gjithashtu se dy vendet do të insistojnë që bisedimet e BE-së për embargon të përshpejtohen për shkak të situatës urgjente në Siri.
Nga ana e saj, Britania ka minimizuar deklaratat, por më herët ka thënë se mund të vendosë veton ndaj zgjatjes së embargos së BE-së.
Embargoja në fjalë parashikohet të rinovohet në maj, por kryeministri David Cameron deklaroi të mërkurën se nuk e përjashton mundësinë që Britania ta zgjidhë çështjen sipas mënyrës së saj.
“Mbretëria e Bashkuar është një vend i pavarur, edhe pse ne shpresojmë se i gjithë Unioni do të arrijë një marrëveshje. Megjithatë, ne mund të kemi një politikë të jashtme të pavarur”, tha Cameron.
Shumë vende janë të shqetësuara se furnizimi me armë i opozitës siriane mund të përshkallëzojë konfliktin në këtë vend.
Siria, Rusia kundër Britanisë
Rusia ka paralajmëruar se çdo përpjekje e Mbretërisë së Bashkuar për të
furnizuar me armë rebelët sirianë do të shihet si një shkelje e ligjit
ndërkombëtar.
Deklarata erdhi pasi kryeministri David Cameron sugjeroi se Mbretëria e Bashkuar duhet të shqyrtojë zgjatjen e vetos ndaj embargos së armëve të BE ndaj Sirisë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që ndodhej në Londër për bisedime me homologun britanik, bëri të qartë se Moska do të kundërshtojë çdo lëvizje për furnizimin me armë.
“Në këndvështrimin tonë, armatimi i opozitës siriane përbën një shkelje të ligjit ndërkombëtar”, deklaroi Lavrov në konferencën për shtyp me homologun William Hague.
Ky i fundit, nga ana e tij u shpreh se, ende nuk është e qartë se sa e rëndë situata në Siri mund të bëhet dhe shtoi se Britania e Madhe nuk përjashton asnjë opsion për Sirinë në të ardhmen.
Qeveria britanike ka premtuar tashmë se do t’i japë asistencë joluftarake forcave siriane që kundërshtojnë regjimin e presidentit Bashar al Assad, ndërsa ka ofruar 139 milionë stërlina për të ndihmuar kampet e refugjatëve.
Të paktën 70 mijë persona janë vrarë në Siri dhe një milion të tjerë kanë lënë vendin që nga nisja e krizës dy vjet më parë.
Shifrat e fundit të OKB tregojnë se dy milionë sirianë janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa 400 mijë janë larguar për të kërkuar strehim në Jordani, Liban, Turqi, Irak dhe Egjipt.
Top Channel