Sulmet kibernetike, Obama “thumbon” Kinën

13/03/2013 15:20

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në një intervistë televizive deklaroi se është përfshirë në një “bisedë të ashpër” me Kinën, në lidhje me sulmet kibernetike që kanë shënjestruar industritë e ndryshme amerikane.

Në një intervistë në rrjetin “ABC”, Obama pranoi se pirateria ka gjetur mbështetjen e autoriteve dhe sponsorizohet nga Pekini zyrtar, por zhvlerësoi konstatimet e kongresit për një luftë të mirëfilltë kibernetike midis dy shteteve.

Deklarata e Obamës erdhi një ditë pasi shefat e inteligjencës amerikane thanë se pirateria ka zëvendësuar terrorizmin si kërcënimin kryesor për shtetin.

Kina mohon që të jetë autorja e sulmeve të tilla kibernetike, por sipas Uashingtonit, natyra e sofistikuar e veprimit, natyra e informacionit dhe industritë e shënjestruara nuk lënë dyshim se pas këtyre sulmeve, në shumë raste qëndron shteti kinez.

”Ka një ndryshim të madh midis qënies së angazhuar në një spiunazh dhe sulme kibernetike, e një lufte të mirëfilltë të këtij lloji”, deklaroi presidenti Obama.

”Ajo që mbetet e pamohueshme, është fakti se pirateria me origjinë nga Kina ka njohur një rritje të madhe në vitet e fundit. Një pjesë e këtyre sulmeve vijnë nga individë ose organizata kriminale, por një pjesë tjetër janë të urdhëruara nga shteti. Për këtë arsye, kam protestuar me tonet më të ashpra.

Midis sulmeve të ndryshme, më i bujshmi është ai ndaj “New York Times” në muajin janar, kur gazeta u sulmua pak ditë pasi publikoi një artikull mbi pasurinë e paligjshme të familjes së kryeministrit në largim, Wen Jiabao.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA