Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, mbërrin pasditen e së mërkurës në Prishtinë, në kuadër të një vizite në lidhje me proçesin e bisedimeve me Serbinë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, të cilat citojnë burime pranë zyrës së shtypit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, të cituar nga “RTK”, janë shprehur se kjo vizitë përbën një mundësi të mirë që Prishtina të rikonfirmojë pozicionin e saj në dialogun dypalësh.

Vetë kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit të tij e ka vlerësuar vizitën e zonjës Ashton si një inkurajim për Prishtinën dhe si një veprim që do të çojë përpara proçesin e bisedimeve.

“Kjo vizitë do t’i lëvizë gjërat përpara, në mënyrë që marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit të arrihen më herët”, ka deklaruar Thaçi.

Deklaratat e presidentit serb, se Prishtina është gati të ndryshojë kushtetutën, kreu i qeverisë kosovare i ka ricilësuar si gënjeshtra të një mentaliteti të vjetër.

“Ato janë deklarata të mentaliteti të politikës së vjetër të Beogradit, që bëhen vetëm për të kënaqur opinionin e brendshëm publik”, ka thënë Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA