Pas marrëveshjes mes partive maqedonase, për të garuar me kandidatë të përbashkët për kryetar në qytetin e Strugës dhe Kërçovës, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka kërkuar mbështetjen e partisë së Ali Ahmetit, për kandidatin e PDSH-së për Strugën, z. Zijadin Sela.
Thaçi ka thënë se këtë mbështetje e kërkon nga Ahmeti, pasi në Kërçovë do të mbështesë kandidatin e BDI-së për këtë qytetet, z. Fatmir Deharin.
“Vëreni një heshtje prej asaj dite, kur u morën vesh LSDM-ja dhe VMRO-ja për Strugën. Vëreni një heshtje prej Ali Ahmetit. Unë e kam përkrahur në Kërçovë që para tre muajve dhe ata tani duhet të tërhiqen dhe të na mbështesin në Strugë. Ky është rregulli burrëror”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Thaçi, gjatë një tubimi elektoral në Veleshtë, falënderoi struganët për mobilizimin e jashtëzakonshëm në përkrahje të kandidatit të PDSH-së për komunën e Strugës.
Ndërkohë, karvani i Bashkimit Demokratik për Integrim ka ndaluar në komunën e Likovës, zonë kjo që u godit më së shumti nga konflikti i vitit 2001, pas luftimeve disa mujore mes UÇK-së dhe forcave policore-ushtarake maqedonase. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se ndjehet krenar për investimet, që ka bërë partia e tij në këtë komunë.
“S’ka se si të mos jemi krenarë ne si shqiptarë, për arritjet tona të deritanishme. Ne i kemi përcjellë angazhimet e kryetarit të komunës dhe jemi përpjekur që ta ndihmojmë në të gjitha projektet. E theksuam se në këtë vend filluam nga zero dhe ato vepra që bëhen janë të pakta, si ujësjellësi i nisur, infrastruktura, shkollat, rruga, hapja e kufijve”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Tubimet me elektoratin i ka vazhduar edhe forca e tretë politike e shqiptarëve të Maqedonisë, Rilindja Demokratike Kombëtare. Kjo parti po kërkon mbështetjen e elektoratit për programin e saj ekonomik, për të rritur mirëqenien e qytetarëve në komunat shqiptare.
Top Channel