Kryepeshkopata e LA, 10 mln USD ndaj të abuzuarve

13/03/2013 05:00

Kryepeshkopata katolike e Los Angeles pritet të paguajë rreth 10 milionë dollarë për të zgjidhur 4 çështje abuzimesh seksuale të një ish-prifti, At Michael Baker.

Dosjet e publikuara së fundi tregojnë se kardinali Roger Mahony kishte dijeni mbi abuzimet e priftit, por e riktheu atë sërish në ministri, ku ai akuzohet se ka abuzuar sërish.

Shlyerja e kësaj pagese vjen në momentin kur kardinalët e Kishës Katolike janë mbledhur për të zgjedhur Papën e ri, pas dorëheqjes së Benediktit të XVI. Kardinali Mahony është pjesë e Konklavës.

Rreth 10 mijë katolikë amerikanë nënshkruan një peticion, duke nxitur atë të mos udhëtonte për në Romë, për shkak të akuzave se ai kishte mbrojtur priftin që akuzohet për abuzime seksuale me fëmijët.

Kardinali Mahony ka qenë kryepeshkopi më popullor i Kryepeshkopatës së Los Angeles, më e madhja në Amerikë e cila përfaqëson 5 milionë katolikë, për 26 vite radhazi, deri në momentin kur ai u tërhoq në vitin 2011.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, asnjë palë nuk pranon ndonjë veprim të gabuar. Por, mijëra faqe të dosjeve të kishës janë zbuluar së fundi me urdhër të gjykatës, duke shfaqur se kardinali Mahony ka mbrojtur një numër priftërinjsh të akuzuar nga ligji, mes tyre dhe Baker-in, i cili në 1986 u dërgua për trajtime psikologjike në një qendër të drejtuar nga kisha, e më pas u rikthye sërish në ministri.

Ai vazhdoi të abuzonte, ndaj dhe pagesa e 9,9 milionë dollarëve ka lidhje me 4 prej viktimave të tij, që e kanë akuzuar për ngacmime, duke deklaruar se kardinali kishte fshehur sjelljen e tij.

Dy nga paditësit, të cilët janë vëllezër, do të marrin nga 4 milionë dollarë secili, ndërsa dy të tjerë do të marrin rreth 1 milionë secili, ka bërë ditur prokurori John Manly, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.

Baker u dënua për ngacmime ndaj fëmijëve në 2007, në të njëjtin vit kur kryepeshkopata e Los Angeles arriti një rekord shlyerje prej 660 milionë dollarë, për qindra viktima të abuzuar seksualisht, duke u larguar në 2011.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA