Mijëra qytetarë të Kosovës marshuan rrugëve të Prishtinës kundër asaj që kohëve të fundit po konsiderohet si vjedhje e xhepave të tyre nga drejtuesit e shtetit.
Parulla me moton “Ndale hajninë, zhvilloje shtetin” zuri vend në duart e aktores me famë botërore Arta Dobroshi. “Kosova është e jona. Kosova nuk duhet lënë të vidhet. Kosova është e jona dhe ne e duam atë”, ka thënë Dobroshi.
Përkrah Dobroshit janë rreshtuar edhe artistë të tjerë, pjestarë të shoqërisë civile dhe mediave. “Edhe këta që po vjedhin nuk do të mund t’i shpëtojnë kësaj papërgjegjshmërie që po bëjnë. Kjo është vetëm protesta e parë kundër korrupsionit. Ne duam përgjegjshmëri nga njerëzit që drejtojnë këtë vend. Ata nuk mund të vjedhin dhe të vazhdojnë të mbeten në postet që kanë”, ka thënë Ilir Deda nga instituti Kipred.
Protestuesit i dhanë 1 javë kohë qeverisë së Kosovës që të shkarkojë nga detyra ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe drejtorin e KEK, Arben Gjukaj.
Brohoritjet “me hajna nuk ka shtet”, sikurse motoja e protestes, gjetën përkrahjen edhe të deptuetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës.
Deputeti Visar Ymeri nga radhët e Vetëvendosjes, Donika Kada Bujupi e AAK-së dhe Gani Geci nga legjislatura e kaluar ishin pjesë e protestës.
“Kam dalë të përkrah qytetarët e Kosovës për mllefin e tyre, për të cilin kanë plotësisht të drejtë kundër gjithë atyre personave që po vjedhin këtë shtet”, ka thënë Bujupi.
“Faktikisht Kosova është katandisur në mjerim. Kosova nuk ka rrezik nga Serbia, sepse Serbinë e ka hequr NATO prej këtej, Kosova ka rrezik nga kriminelët”, ka thënë Gani Geci, deputet i legjislaturës së kaluar nga radhët e LDD-së.
Baza e këtij reagimi qytetar ndodhet në faturimin e lartë të energjisë elektrike që KEK-u ka bërë në dy muajt e fundit. “Na kanë ardhur shumë fatura të larta. Ne jemi vetëm dy vetë në shtëpi, fatura na erdhi 250 euro. Na ka mbetur vetëm kapitullimi”, ka denoncuar Mire Gjeka, banore e komunës së Fushë Kosovës.
Kjo nuk do të jetë protesta e fundit me këtë moto, pra kundër hajnisë për zhvillimin e shtetit. Organizatorët paralajmëruan një protestë tjetër të enjten në të njëjtën orë, por e cila do të ketë në fokus privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Top Channel