“Kontroll” mbi sistemin bankar

13/03/2013 00:00

Ekspertët e ekonomisë kërkojnë një paketë të re masash ligjore që
forcojnë mbikëqyrjen në sistemin bankar, ku të përfshihet edhe kufizimi i
shpërblimeve që bankat japin për drejtuesit dhe punonjësit.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një sipërmarrje dhe shteti po ndërhyn në sipërmarrjen private individuale, por sektori bankar është një sektor, ku menaxherët administrojnë pasuritë publike, administrojnë paratë e qytetarëve kursimtarë të vegjël. Pavarësisht gjenisë krijuese të tyre dhe përdorimit me efiencën më të lartë ekonomike të këtyre parave, sërish kjo nuk mund të justifikojë përdorime të ekzagjëruara të fitimeve të gjeneruara, për t’u shpërndarë në mënyrë private nga ato që janë menaxherët e këtyre bankave”, tha deputeti demokrat Selami Xhepa.

Dy javë më parë Bashkimi Europian miratoi një direktivë, e cila detyron çdo bankë në vendet anëtare të Bashkimit Europian të mos japë për punonjësit shpërblime më të mëdha se sa paga e tyre.

“Ne jemi me fat që në Bashkimin Europian po vendosen disa direktiva, qoftë që në fushën e mbikëqyrjes, qoftë në rregullat e kapitalit që duhet të kenë bankat për t’u ruajtur nga tronditjet që ka ekonomia, qoftë edhe në skemat e shpërblimit për menaxherët e bankave. Në mënyrë graduale, banka jonë qëndrore, Ministria e Financës dhe Parlamenti duhet të ndërmarrin përafrimin e politikave dhe standardeve në sistemin tonë bankar dhe financiar, në përputhje me atë që janë duke bërë vendet e Bashkimit Europian, pasi mësuan nga dështimet e tyre të mëparshme”, tha deputeti socialist, Arben Malaj.

Sistemi i shpërblimeve është cilësuar si një nga shkaqet që e çuan industrinë financiare botërore në prag të kolapsit, pasi joshja nga bonuset i nxit bankierët drejt investimeve me risk, siç ishte rasti i kredive me rrezik të lartë ne Shtetet e Bashkuara. Ndaj, kufizimi i tyre ka dhe arsye ekonomike.

“Në mënyrë që të ulen presionet mbi menaxherët që joshen nga bonuset shumë të mëdha, ata të përkeqësojnë menaxhimin e bankave apo të koorporatave të mëdha”, shton malaj.

Vitin e kaluar, në kushtet e recesionit të përgjithshëm bankat më të mëdha në Europë dhe SHBA shpërndan 257 miliardë euro bonuse për punonjësit. Në Shqipëri të dhënat nuk janë publike.

“Eshtë koha që sektori bankar duhet të jetë shumë më transparent në raport me publikun, në kuptimin që bilancet financiare, shpenzimet e tyre dhe në veçanti, duke qenë se kjo është një çështje që ka tashmë një ndjeshmëri më të madhe, duhet që ato të japin sa më shumë informacion publikut”, tha Xhepa.

“Eshtë parakusht dhe ne duhet të shikojmë ku kemi mangësi dhe duhet ta kthejmë në rregull numër një të detyrueshëm rritjen e transparencës duke nisur nga sistemi bankar”, tha Malaj.

Selami Xhepa mendon se këto masa duhet të shtrihen edhe në sektorë të tjerë, veçanërisht kompanitë që kanë koncesione apo kanë privatizuar asete publike. Ndonëse bilancet e tyre nuk bëhen publike, në të kaluarën kanë dalë fakte për pagesa marramendëse siç ishte rasti i menaxherëve të CEZ, që paguheshin deri në 66 mijë euro në muaj.

Top Channel