
Pas meshës, 115 kardinalët me të drejtë vote u mbyllën në Kapelën Sistine ku do të zgjedhin në izolim dhe sekret të plotë emrin e Papës së ri që do të udhëheqë Vatikanin dhe gjithë besimtarët katolikë në mbarë botën.
Pas orës 17:00 u shqiptua “Extra Omnes”, ose ndryshe “të gjithë jashtë” që nënkupton nisjen e procesit të votimit për zgjedhjen e Papës së ri.
Prej shekujsh zgjedhja e Papës së ri ka qenë një prej riteve më misterioze dhe të panjohura, e këtë herë duket se Selia e Shenjtë ka marrë masa më të forta për të shmangur daljen e çdo lloj informacioni. Gjithë këto ditë çdo kardinal gjatë lëvizjeve ka qenë i shoqëruar nga dy punonjës të xhandarmërisë së Vatikanit. Me fillimin e Konklavës kardinalet do të kontrollohen në hyrje dhe në dalje.
Por masat më të rrepta janë marrë për të ndaluar komunikimin e tyre nëpërmjet mjeteve të reja të telekomunikacionit dhe mesazhet e tyre në rrjetet sociale. E gjithë zona e Kapela Sistine dhe e Santa Martës, ku do të jetojnë kardinalët, është izoluar nëpërmjet një lloj kafazi të Faradejit, një sistem që bllokon çdo valë elektromagnetike.
Kontrolli i valëve bëhet edhe nga pajisje të vendosura mbi disa automjete lëvizin vazhdimisht në kopshtet e Vatikanit. Asgjë nuk duhet të hyjë nga jashtë ose të dalë, as nga ana vizive, jo rastësisht edhe dritaret e Kapeles Sistine janë errësuar.
Kohëzgjatja e Konklavës nuk dihet saktësisht, por ajo që është e sigurtë është që Kardinalët do të votojnë 4 herë në ditë deri në momentin e kur një emër merr dy të tretat e votave.
Zgjedhja ose jo e Papës do të komunikohet nëpërmjet ngjyrës së tymit që do të dalë nga oxhaku cdo ditë. nëse ngjyra e tymit është e bardhë nënkuptohet se besimtarët katolikë janë bërë me një Papë të ri, ndërsa nëse ngjyra e tymit është e zezë, kardinalët nuk kanë mundur të zgjedhin emrin udhëheqës.
Top Channel