Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi hodhi poshtë deklaratat e presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç se Prishtina do të ndryshojë Kushtetutën e saj për t’i dhënë kompetenca ekzekutive Shoqatave të Komunave Serbe.

Në raportimin e radhës në Kuvendin e Kosovës, kryeminsitri Thaçi e quajti gënjeshtar presidentin e Serbisë Nikoliç i cili sipas Thaçit gënjen siç kishte gënjyer Millosheviçi në 99-ën.

Kryeministri Thaçi shtoi se ka informacione zyrtare se takimi i një nate më parë ndërmjet autoriteteve serbe dhe baroneshës Ashton ka pasur për qëllim që Serbisë t’i ofrohet propozimi që ka bërë delegacioni i Kosovës në takimet e kaluara për formimin e bashkësisë që është plotësisht në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetqeverisje Lokale.

“Përvecse tregon një papjekuri të madhe politike nga ana e tij, po ashtu është krejtësisht e pavërtetë, një gënjeshtër e kulluar tradicionale e politikës së Beogradit, ju e dini që ata humbjet i shpallin vazhdimisht fitore, që prej betejës së Fushë Kosovës, në Rambuje, Kumanovë kur është larguar ushtria dhe administrata serbe në 99, ngrinin dolli në Beograd, prandaj aq sa është e vërtetë deklarata e Milloshevicit e qershorit ’99, po aq e vërtetë është edhe deklarata e mbrëmshme e Nikolic”, tha kryeministri Thaçi.

Raportimi i kryeministrit Hashim Thaçi nuk kaloi pa akuzat e ashpra të opozitës, veçanërisht ato që vijnë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së: Arsyeja që mendojmë se pse ky asosacion nuk është i dobimësh është nga fakti që gjithë politika e këtij vendi ka qenë angazhimi shumë i madh që të ketë integrim të këtij komuniteti serb në jetën institucionale dhe ne shohim që me këtë asosacion punojmë kundër. Punojmë kundër integrimit të tyre sepse ata do të mblidhen bashkë në një asosacion.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje: Futja në OKB dhe ndonjë njohje shtesë për Kosovën nuk e ndalon “bosnjezimin” e Kosovës, për më keq ato mund të lehtësojnë atë duke thënë se ja edhe shqiptarët përfitojnë dicka. Me këtë rast i bëjmë thirrje Brukselit që të braktisë këtë mënyrë të të ashtuquajturit “normalizim të marrëdhënieve”. BE po bashkon kriminelët e luftës në Serbi me kriminelët e korrupsionit në Kosovë për të vendosur mbi fatet e Kosovës dhe popullit të saj. Këta vetëm sa po amnistojnë njëri-tjetrin. Brukseli dhe ndërkombëtarët po i amnistojnë ata dhe tani përflitet për amnisti të reja ndaj kriminelëve serbë në veri.

Ardian Gjini, Kryetari i grupit parlamentar AAK: Është me rëndësi të shihet edhe plani tjetër dhe jo vetëm marrëdhëniet me Serbinë por të shihet edhe normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me BE si pjesë e marrëveshjes.

Partitë politike në Kosovë prezantuan qëndrimet e tyre në Kuvend në kuadër të debatit vetëm dy ditë para vizitës së shefes së diplomacisë europiane Catherine Ashton në Prishtinë. Në kuadër të vizitës  Ashton do të zhvillojë takim me spektrin politik kosovar pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e klasës politiike të Serbisë në Bruksel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA