Shkoza, një “varr i hapur” për foshnjat e romëve

12/03/2013 00:00

Lagjja “Shkozë”, në periferi të Tiranës, është kthyer në një vendbanim
për komunitetin rom dhe një varr i hapur për foshnjat e tyre. Bilanci i
vdekjeve ka shkuar në pesë gjatë dy viteve të fundit. Në familjen e
Ferdinand Beratit, gjatë këtij viti, kanë vdekur dy fëmijë.

Ndërsa, një nënë 21-vjeçare, në familjen Shushari, ka lindur dy fëmijë të vdekur. Një tjetër foshnje, kësaj here tremuajsh, në familjen Mehmeti, ka vdekur gjatë transportimit në spital, sërish si pasojë e të ftohtit.

Komuniteti rom thotë se janë të bindur se vdekja e fëmijëve të tyre vjen si pasojë e të ftohtit dhe lagështirës. Aktualisht, pellgu buzë lumit Lanë, pranë zonës në fjalë, ka mbledhur rreth vetes mbi 65 familje nga 5 që kanë qenë pak vite më parë. Sapo futesh në brendësi të “lagjes”, syri të kap vetëm disa grumbuj kartoni të konvertuar në vendstrehime. Puna e përditshme e kryefamiljarëve, në stinën e dimrit, përveç mbledhjes së kanoçeve, është shqepja e kartonëve të lagur prej shiut dhe zëvendësimi me të rinj.

Dje, sërish pas mortit në familjen Berati, disa kryefamiljarë, kanë hequr kartonët e lagur. Sapo shohin “vizitorë” irritohen dhe thonë se gazetarët i kanë takuar shumë herë, por asgjë e mirë nuk u ka ardhur prej tyre.

Silvana Mehmeti është vetëm 21 vjeçe. Ka humbur dy fëmijë në maternitetin e Tiranës. Është e bindur që shkak i lindjes së fëmijëve të vdekur janë kushtet e vështira në të cilën ajo jeton. Ndien zemërim për mungesën e vëmendjes së shtetit. “Qeveria e ka fajin që na lë të jetojmë në kushte të tilla. Deri më tani më kanë lindur dy fëmijë të vdekur. Askush nuk do t’ia dijë për ne, sepse jemi romë. Unë nuk kam asnjë klasë shkollë, por edhe fëmijët tanë ashtu do të mbeten. Nuk dua asgjë, përveç shëndetit të fëmijëve të mi. Por, në këto barake që ne jetojmë, jeta e tyre vihet në rrezik të përditshëm. Kanë ftohtë. Nuk kanë rroba që të vishen dhe nuk kanë me se të ushqehen. Burrin e kam në burg dhe mendoje pak se si mund ta rris vajzën që kam tani”, tregon tragjeditë e jetës së saj, 21-vjeçarja.

Të njëjtën histori e gjejmë edhe në familjen Shushari. Suzana, e cila kthehet nga “puna” e mbledhjes së kanoçeve, me lot në sy më thotë se para një viti e ca, djali i ka vdekur prej të ftohtit. “Im bir nisi problemet një ditë para se të vdiste. E dërgova në spital dhe më dhanë disa ilaçe. Erdha në barakë, por siç e shikon, këtu është një katastrofë. Ai nuk u përmirësua për asnjë moment, por i hipi temperatura e lartë. E mora në dorë dhe u nisa drejt spitalit ‘Nënë Tereza’ në këmbë. Kur mbërrita atje, pas tre orësh, mjekët më thanë se ai kishte gjetur vdekjen për shkak të të ftohtit. Atë e harrova, por kam problem këtë tjetrin. Është 11 vjeç dhe para disa muajsh i bëra operacion njërin sy, prej infeksionit. Paratë i mora borxh dhe tashmë nuk kam lekë që t’i heq fitilat dhe penjtë që ka në kokë. Mjekët më thanë që të mos t’i kalonte afati pasi do t’i zinin mish. Unë nuk kam lekë, madje edhe ato të operacionit i mora borxh. Përveç faktit se në syrin që bëri operacion humbi shikimin, problem i është bërë edhe syri tjetër. Djali im rrezikon që të bëhet i verbër. Disa shoqata që më ndihmonin, hoqën dorë. Kushtet në të cilën jetojmë ne, janë skandaloze dhe infeksioni prej pisllëkut ka mbërthyer vogëlushin tim”, ankohet Shushari.

Valbona Kashta është nëna e katër fëmijëve dhe është 6 muajsh shtatzënë. Thotë se ndien dhembje tek barku, por nuk ka para që të vizitohet. Ka frikë se mos bebja e saj pëson të njëjtin fat si pesë fëmijët e familjeve fqinje. Kohë më parë dilte në rrugë për të lypur së bashku me fëmijët, por policia e ka ndaluar. Ka frikë që të lypë sërish, pasi një shoqatë e huaj, e ka kërcënuar se do t’i marrë fëmijët. “Nuk ia jap fëmijët shoqatës. Më djeg shpirti që t’ua lë atyre për t’i rritur. Më mirë le të rrinë pa bukë dhe pranë meje se sa të më ikin”, tregon Valbona. Frika se mos vdekja kthehet për t’u marrë nga gjiri vogëlushët, i ka hyrë në palcë komunitetit rom, që jeton në zonën e Shkozës. Nuk kanë fuqi që ta ndryshojnë këtë realitet, thjesht presin mëshirën e të tjerëve. Kërkojnë disa blloqe betoni për të ngritur një dhomë, që t’u ndalojë hyrjen e të ftohtit brenda. E dinë që apelimi i tyre do të bjerë në vesh të shurdhët, sepse asnjëherë nuk ka ndodhur e kundërta. Luten në Zot, që t’u ruajë jetën e fëmijëve. Kjo është e vetmja shpresë për ata.

Gazeta “Shqip”

Top Channel