Libi, dhjetëra të vdekur nga alkooli metilik

12/03/2013 16:00

Të paktën 51 persona ndërruan jetë në Libi, pasi konsumuan alkool metilik të prodhuar vetë, lajmëruan zyrtarë të Ministrisë Libiane të Shëndetësisë.

378 persona janë shoqëruar me helmime të shkallëve të ndryshme në spital që prej së shtunës, ndërsa numri i viktimave dhe të helmuarve të tjerë pritet të rritet ndjeshëm në orët në vazhdim.

Një pjesë e atyre që konsumuan substancën po trajtohen me dializë, për të shmangur daljen e veshkave jashtë funksionit (insufiçencë renale), ndërsa dhjetëra të tjerë rrezikojnë të mbeten të verbër.

Fluksi i të helmuarve detyroi Tripolin zyrtar të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në spitalet e kryeqytetit, ndërsa për shkak të mbipopullimit, një pjesë e të prekurve janë dërguar për trajtim në Tunizinë fqinje.

Si një vend musliman, Libia e ka të ndaluar tregëtimin e alkoolit, por shumë pije alkoolike prodhohen në mënyrë artizanale nga fshatarët, duke u tregëtuar pa asnjë lloj kontrolli në tregun e zi.

Alkooli metilik, që gjen përdorim të gjerë si katalizator në industri, në solucione pastrimi apo antifrizë, ka veti të ngjashme kimike dhe fizike me etanolin e zakonshëm, por është vdekjeprurës për trupin e njeriut.

Edhe sasi të vogla të metanolit janë në gjendje të shkaktojnë vdekjen nga insufiçenca respiratore apo renale, ndërsa verbimi për shkak të dëmtimit të nervit optik apo dëmet e përhershme nervore janë të zakonshme midis të mbijetuarve.

Top Channel