“Grupi i qytetatarëve të organizuar” do të marshojë paqësisht të mërkurën kundër faturave të Korporatës Energjetike të Kosovës për muajin janar dhe, siç thonë anëtarët e tij, edhe kundër parregullsive të tjera.

Marshi do të përkrahet nga 22 OJQ, disa organizata studentore dhe nga aktorja kosovare me famë botërore, Arta Dobroshi. Një nga përfaqësuesit e grupit të qytetarëve të organizuar ka thënë se reagimet e KEK-ut vetëm sa kanë indinjuar qytetarët.

“Reagimet e kësaj korporate vazhdimisht kanë indinjuar qytetarët dhe kjo ka qenë shumë evidente edhe nga porositë e qytetarëve që na kanë ardhur. Ndërsa pezullimi i punëtorëve është bërë vetëm sa për të ulur tensionin që është shprehur deri tani”, ka deklaruar Ylli Rugova.

Këtij marshi ka vendosur t’i bashkohet edhe aktorja Arta Dobroshi, e cila ka thënë gjatë së martës se është e emocionuar që po fton qytetarët, për të treguar përmes këtij marshi se janë kundër korrupsionit në Kosovë.

“Tani ka ardhur momenti që prapë e tërë popullata  e Kosovës të bashkohet dhe të tregojë se ne jemi për një Kosovë të bukur, të mirë, me një ekonomi të zhvilluar dhe pa korrupsion. Diçka duhet të kuptohet, që ne si banorë të Kosovës nuk duhet të pranojmë dhe duhet të dalim të treojmë pakënaqësitë nëse nuk ka pëlqen diçka, sidomos tani që korrupsioni është shumë i madh. Në Francë, për shembull, nëse banorëve nuk u pëlqen se si është lyer një ndërtesë, ata dalin protestojnë. Edhe ne këtu duhet të protestojmë”, ka thënë Dobroshi.

Kjo protestë është e shtata me radhë që organizojnë qytetarët në shenjë pakënaqësie ndaj faturave të muajit janar për energjinë elektrike. Një ditë më herët, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj paraqiti para mediave raportin e shqyrtimit të ankesave për faturat e muajit janar.

Në këto ankesa të aprovuara përfshihen rastet kur ka pasur ngarkim me vlerë shtesë, regjistrime të reja, përshkrim jo të saktë të gjendjes, futje jo të sakta të të dhënave e të tjera. Por, sipas drejtuesve të KEK-ut, asnjë gabim nuk ka qenë i qëllimshëm.

Top Channel