Prishtina zyrtare ka mirëpritur paralajmërimin e presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, se Kosovës do t’i lejohet të ndjekë punën e Asamblesë Parlamentare pa të drejtë pjesëmarrjeje në debat dhe pa të drejtë vote.
Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Strasburg, ka thënë për Top Channel nëpërmjet telefonit se Këshilli i Evropës dhe Asambleja e Përgjithshme, si pjesë e këtij institucioni, po hapet në raport me pranimin gradual të Kosovës.
“Dua të ririkonfirmoj se Këshilli i Evropës dhe Asambleja e Përgjithshme si pjesë e këtij institucioni po hapet në raport me pranimin gradual të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe vizita ime në Strasburg dhe takimi i nesërm me Sekretarin e Përgjithshëm, Jaglland. Vetëm 1 vit më herët nuk ka qenë e lehtë për t’u imagjinuar kjo. Rezoluta e miratuar së fundmi ka kërkuar kontakte të drejtpërdrejta me institucionet e Kosovës dhe këtë do ta shfrytëzojmë jashtëzakonisht shumë, deri në anëtarësimin e plotë. Duhet t’i gëzohemi faktit se prania e Kuvendit të Kosovës në përcjelljen e punës së Asamblesë është hap i rëndësishëm”, ka deklaruar Hoxhaj.
Në anën tjetër, kryetari i komisionit parlamentar për integrimet europiane, Lutfi Haziri, i cili është njëkohësisht edhe deputet i LDK-së, e ka vlerësuar këtë si një pranim indirekt të Kosovës.
“Praktikisht kemi të bëjmë me një pranim indirekt, apo pranim i shkallëzuar, sepse ftesa për mysafirë të veçantë, me status që njihet sipas Rregullores së brendshme dhe organizimit të Këshillit të Europës, është shkalla e parë e pjesëmarrjes në mënyrë që përmes aplikimit Kosova ta fitojë të drejtën më vonë të statusit të vëzhguesit, apo edhe anëtarësimin e drejtpërdrejt në Asamblenë Parlamentare”, ka thënë Haziri.
Në fund të muajit janar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi Rezolutën për Kosovën dhe përmes saj rekomandohet që Kosova dhe KiE të vendosin raporte të drejtpërdrejta, gjë që është vlerësuar si arritja e parë konkrete e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë këshill.
Top Channel