Elbasan, i rrëmben përroi, vdesin burrë e grua

12/03/2013 00:00

Dy persona kanë gjetur vdekjen aksidentalisht të mbytur në ujërat e rrëmbyer të përroit të Zaranikës në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ndodhi teksa Agim Hashari, 30 vjec dhe bashkëshortja e tij Miranda Hashari 28 vjece, po kalonin mbi përroin e Zaranikës.

Ujërat e rrëmbyer të përroit, pas rreshjeve të dendura të ditës së djeshme, kanë bërë që çifti të mos shpëtojë. Uji i ka marrë për gati 1 km trupat e dy të rinjve dhe policia është detyruar t’i ndjekë për disa minuta pa mundur të ndërhyjë.

Forca e ujit ka përplasur edhe njërin prej punonjësve të policisë gjatë operacionit të shpëtimit, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën edhe pse ka marrë plagë të rënda. Me gjithë përpjekjet policia nuk mundi të nxjerrë të gjallë nga uji 30-vjeçarin Agim Hashari, ndërsa bashkëshortja e tij gjeti vdekjen në sallën e operacionit në Spitalin e Elbasanit.

Sipas informacioneve paraprake të policisë dyshohet se çifti nuk ka kaluar mbi urën sipër përroit, por sic ndodh rëndom ka tentuar të kalojë mbi disa tuba të vendosura mbi lumë. Tubat e lagur kanë qenë të rrëshqitshëm e për pasojë çifti ka përfunduar në ujë pa mundur të dalë prej andej.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që trupat e viktimave janë dërguar në morgun e Elbasanit.

Top Channel