Afganistan, NATO: 5 të vdekur nga rënia e helikopterit

12/03/2013 03:50

Pesë anëtarë të forcave të huaja, të udhëhequra nga NATO, në Afganistan kanë ndërruar jetë pas përplasjes së një helikopteri. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të Aleancës së Atlantikut Verior.

Përplasja ndodhi në jug të Afganistanit gjatë së hënës, njoftuan Forcat Ndihmëse të Sigurisë Ndërkombëtare (ISAF), në një deklaratë të tyren.

“Raportet fillestare nuk flisnin për ndonjë aktivitet të armikut në atë zonë, gjatë momentit të aksidentit”, thuhej në atë deklaratë.

Kombësia e viktimave nuk është bërë ende e ditur, por mësohet se trupat amerikane, britanike dhe australiane operojnë në zonën ku ndodhi aksidenti.

Përplasjet e helikopterëve kanë ndodhur pothuajse rregullisht në Afganistan, qoftë aksidentale, ashtu dhe nga hapja e zjarrit prej armiqve.

11 persona, përfshi 7 ushtarë amerikanë, ndërruan jetë në muajin gusht të vitit të kaluar, kur një helikopter, “Skifteri i Zi”, u përplas dhe u rrëzua, sërish në jug të Afganistanit.

Top Channel