Gjenerali gjerman, Karl Heinz Lather ka deklaruar se, për t’u anëtarësuar në NATO, Kosova duhet të plotësojë të njëjtat kushte që përmbushën vendet që u anëtarësuan së fundmi.

Në një seminar të zhvilluar në Prishtinë, oficeri i lartë ka nënvizuar se, pasi këto kritere të jenë përmbushur, çështjet teknike do të mund të zgjidhen mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.

“Në kriteret bazë, të cilat asnjëherë nuk kanë ndryshuar dhe nuk besoj se do të ndryshojnë, është stabiliteti institucional, ai politik, sundimi i rendit dhe ligjit, si dhe çështje të tjera”, ka thënë Lather, i cituar nga “RTK”.

I pyetur për çështjen e veriut dhe rolin e KFOR-it atje, Lather ka vlerësuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë në zgjidhjen e problemeve.

“Shpresoj shumë që dialogu do të çojë në zgjidhjen e problemeve atje, duke pasur parasysh se interesi i Kosovës dhe Serbisë është që t’i bashkohen BE-së. NATO në këtë rast s’mund të bëjë asgjë, përveç se të asistojë”, ka thënë gjenerali.

Top Channel