Hungari, paketë ligjore “anti-demokratike”

11/03/2013 15:30

Partia në pushtet në Hungari, “Fidesz” i kryeministrit Victor Orban, pritet të realizojë disa ndryshime kushtetuese, të cilat sipas analistëve minojnë demokracinë në vend.

”Fidesz” gëzon më shumë se 2/3 e vendeve në Parlament, ndaj ka dorë të lirë ndaj ndryshimeve të këtij lloji.

Amendamentet pritet të sjellin një sërë ndryshimesh në ligjin për arsimin e lartë, atë për të pastrehët, për zhvillimin e fushatës elektorale, të drejtat familjare dhe funksionimin e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese.

Paketa e ndryshimeve ligjore është konsideruar si “grushti i fundit” ndaj demokracisë së “brishtë” hungareze nga zërat e opozitës në vend dhe ka ngjallur disa reagime të ashpra kundërshtuese brenda BE-së.

Në një thirrje adresuar Budapestit zyrtar, Këshilli i Europës kërkoi që të paktën votimi të shtyhet, deri kur dokumenti i ndryshimeve, prezantuar në mënyrë të beftë, të analizohet në detaje nga konstitucionalistët dhe ekspertët europianë.

Në të shkuarën, qeveria e Orban është vendosur nën kritika të ashpra të Brukselit, për një sërë ligjesh, midis të cilave edhe ai që do të rikthente censurën mbi mediat.

Kryeministri autoritar i Hungarisë ka ngjallur kundërshti edhe për deklaratat e tij polemizuese, disa herë me tone anti-europiane, në kundërshtim me rolin që Hungaria pritet të ruajë si një prej 27 vendeve anëtare të BE-së.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë disa herë thirrje politikavëve hungarezë që të respektojnë institucionet e pavarura dhe parimin “check and balance”, si parimin themelor të funksionimit të shtetit demokratik.

Top Channel