Qeveria greke do të fillojë shitjen e të paktën 28 godinave shtetërore, pesë prej të cilave u përkasin ministrive të ndryshme dhe tre të tjera drejtorive të përgjithshme ministrore.

Gjithashtu, do të shiten ndërtesa e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Athinë, ajo në Selanik, rajone të policisë në kryeqytet dhe qytete të tjera, godina e Institutit Kombetar të Statistikave dhe 13 ndërtesa të organit të tatim-taksave në gjithë vendin.

Shitja e tyre do bëhet nga Fondi i Vlerësimit të Pasurisë Shtetërore, TAIPED, që ka shpallur edhe datën 19 prill për ofertat.

E veçanta e këtij proçesi privatizimi të pasurisë shtetërore të imponuar nga kreditorët e Athinës është se këto ndërtesa që do shiten dhe do sigurojnë të ardhura për shtetin do të jepen me qera për një kohë të gjatë nga blerësit përsëri ndaj shtetit, i cili do të ketë të drejtë në të ardhmen t’i riblejë ato.

Disa muaj më parë shteti grek regjistroi për herë të parë pas tre dekadash më shumë se 2080 ndërtesa të mëdha dhe reparte ushtarake me qëllim shitjen e më shumë se gjysmën e tyre apo dhënien me qera, por për arsye strategjike dhe burokratike ky proçes ende nuk ka filluar. Por përsa u përket 28 godinave në fjalë, nëse do të dalin blerës të besueshëm, shitja do të bëhet në mënyre urgjente.

Megjithëse Greqia po zbaton me rigorozitet reformat e ashpra financiare, vlerësohet se në arkat e shtetit nuk po hyjnë para për arsye të reçesionit ekonomik, mos pagimit të taksave të larta nga qytetarët dhe bizneset e vogla, mungesa e privatizimeve dhe e investimeve të fuqishme.

Kryeminsitri Samaras në një fjalim të mbajtur mesditën e së hënës, me titull “Strategjia e Zhvillimit për 2020”, ka deklaruar se do të negociojë me përfaqësuesit e kreditorëve që ndodhen ende në Athinë për të ulur taksën ndaj bizneseve në vetëm 15%, në përpjekje për të thithur sa më shumë investime në vend.

Top Channel