Gazsjellësi Iran-Pakistan irriton SHBA-në

11/03/2013 15:50

Presidentët i Iranit dhe ai i Pakistanit, Mahmoud Ahmadinejad dhe Asif Ali Zardari, përkatësisht, inaguruan një gazsjellës subjekt kritikash dhe kërcënimesh, që lidh dy vendet fqinje aziatike midis tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën lajmëruar më parë se realizimi i këtij projekti mund të sillte sanksione për të dyja shtetet, pasi lidhet me programin bërthamor të Iranit.

Aktualisht, Irani është subjekt i sanksionesh të ashpra ekonomike dhe politike nga ana e Uashingtonit.

Megjithatë, në Pakistan, përfundimi i këtij gazsjellësi është pritur me entuziasëm, pasi pritet që të ndihmojë dukshëm në përmirësimin e problemeve kronike të shtetit me 170 milionë banorë në furnizimin me energji.

Inagurimi i presidentëve Ahmadinejad dhe Zardari u bë ndërsa puna në krahun iranian ka përfunduar dhe puna për realizimin e gazsjellësit nisi zyrtarisht në kufi, në krahun e Pakistanit.

Sipas analistëve, të dy vendet pritet të kenë përfitime të rëndësishme nga projekti me gjatësi prej 780 kilometrash dhe me plan zgjatje drejt Indisë.

Ndërsa Pakistani dhe ekonomia e tij do të lehtësohen nga burimet e reja të energjisë, Irani siguron një rrugë të re të mirëpritur për t’i shpëtuar sanksioneve amerikane, që godasin direkt eksportet e gazit dhe naftës, burimet kryesore të të ardhurave për Teheranin.

Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit kritikoi fillimin e punimeve, të cilësuara si të “papërgjegjshme” nga ana e Pakistanit.

Megjithatë, ministrja e jashtme Hina Rabbani Khar, zhvlerësoi presionin amerikan, duke thënë se “ndërtimi i gazjellësit është në interesin kombëtar të vendit dhe çdo konsiderim shtesë është i pavlefshëm”.

Pavarësisht marrëdhënieve me shumë ulje-ngritje, Pakistani, një vend në zotërim të armëve bërthamore, konsiderohet si një shtet aleat i SHBA-ve dhe është një prej përfituesve kryesore të ndihmës ekonomike amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA