Mustafa Nano – Nuk dihet se si ka rënë në dorë të gazetarëve letra që
diplomati i karrierës Gilbert Galanxhi, ambasador i yni në SHBA, ia ka
dërguar eprorit të tij në Ministrinë e Jashtme, për dijeni dhe
kryeministrit të vendit, por ky është një fakt që nuk mund të zhbëhet,
tanimë
Dhe shyqyr që kjo letër është bërë publike. Ndryshe, skandali (bëhet fjalë për një skandal në kuptimin e plotë të fjalës) do të mbetej akoma i fshehur.
Ngjarja ka ditë që njihet: “Galanxhi shkruan në letrën e tij (kushedi se ç’punë i është hapur, pasi i është publikuar kjo letër) se buxheti i vitit 2013 për ambasadën shqiptare në SHBA është i pamjaftueshëm, dhe se Ministria e Jashtme ka larë duart si Ponc Pilati me këtë buxhet, dhe se në njëfarë mënyre u ka thënë diplomatëve shqiptarë në ëashington: këto fonde kemi; vrafshi veten atje ku jeni! Ambasadori ynë bën me dije se fondi i akorduar nuk del për të paguar shoferin e pastruesen, dhe as për të paguar qiratë (kjo punë e qirave mbetet disi e paqartë, pasi Paskal Milo kish pretendimin në një prononcim që kish bërë me këtë rast, se ndërtesa e ambasadës në SHBA është blerë para disa vitesh me shumën e 2 milionë dollarëve). Në fund, ambasadori i kërkonte në mënyrën më ironike të mundshme sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së vet, që t’i dërgonte një autorizim, ku t’i thuhej se nuk duhej të dilte më nga zyra, as nga rezidenca, pasi çdo dalje ka një kosto dhe nuk ka se ku t’i gjejë paratë për të përballuar qoftë dhe kosto të tilla minimale”.
Në këto rrethana pritej me kërshëri reagimi i menjëhershëm i Ministrisë së Jashtme, për ta përgënjeshtruar këtë letër, apo për të konfirmuar gjithçka është shkruar, e në të njëjtën kohë, për të dhënë shpjegimet e duhura. Por ai reagim nuk erdhi. Në vend të tij erdhën reagime të tjera, të cilat, që të gjitha ishin të formës së shock-ut. E nuk është se ata që reaguan ishin të gjithë të PS-së, gjë që do t’i bënte marifetçinjtë e propagandës së pushtetit ta skualifikonin këtë debat si një zhurmë opozitare. Besnik Mustafaj nuk është socialist. Aleksandër Sallabanda, ish-ambasador në SHBA, nuk është socialist, gjithashtu. Po kështu, Fatos Tarifa.
Pas këtyre reagimeve, si kofini pas të vjelit, erdhi më në fund dhe qëndrimi i Ministrisë së Jashtme. Por më mirë të mos kish ardhur. Ky qëndrim ishte një skandal më vete. Ishte telegrafik, me fare pak fjalë; ishte dhe arrogant, deri në kufijtë e pacipësisë. “Është çështje e brendshme financiare e Ministrisë së Jashtme, për të cilën nuk mund të japim hollësi e llogari për mediat (marrë nga ‘Vizion Plus’)”, thuhet në deklaratën që ata nxorën me këtë rast. E vini re? U besoni syve e veshëve? “Çështje e brendshme”, thonë. Ç’don të thotë “çështje e brendshme”? Ç’është ky formulim në gjuhën orëell-iane “Neëspeak”? Kishim kohë që s’e kishim dëgjuar një formulim të tillë idiotik, që komunistët e Enver Hoxhës e përdornin në kontekstin e karshillëkut me fuqi të huaja. Ndërsa Edmond Panariti e përdor për t’i thënë medias së Tiranës, se “nuk ka punë të zhbirilojë atë që ndodh brenda Ministrisë së Jashtme”. Hm! Sikur në Shqipëri të kish lindur ndonjë Lëvizje e llojit të Grillos, militantët e saj do kishin shkuar me kohë e do ta kishin nxjerrë nga zyra, me shkelma bythëve, këtë ministër, tok me vartësit e tij, që paratë e akorduara për funksionimin e një ambasade na i quan një “çështje të tijën”.
Dhe nuk janë vetëm këto pará një çështje e tij, apo një çështje e tyre. Ka dhe pará të tjera, për të cilat ne në asnjë rrethanë nuk është parë e udhës të informohemi. Dhe këtu është vendi për t’i mëshuar këtij diskutimi. Është e pafalshme që qeveria shqiptare të ketë pará për t’ua dhënë me thasë ca të huajve, që në këmbim marrin përsipër t’i bëjnë maquillage fytyrës ndërkombëtare të Berishës, e të mos ketë para për të mbajtur gjallë, e me një minimum dinjiteti, ambasadën më të rëndësishme të vendit.
Ku e kam fjalën? Paratë që Panariti e boss-at e tij kanë futur në xhepat e grupeve të lobingjeve amerikane, me synimin që këto grupe t’iu hapin ndonjë derë në ëashington, t’iu bëjnë të mundur ndonjë vizitë, apo në rastin më të keq, ndonjë fotografi me ndonjë zyrtar të administratës amerikane, këto pará pra janë gjithashtu “çështje e brendshme e tyre”; ndryshe, do të ishim njoftuar në rrugë zyrtare, në përgjigje të detyrimit për transparencë që duhet të ketë një qeveri normale, mbi shumat e parave që transferohen këste-këste me burim arkën e qeverisë e me destinacion numrin e llogarisë të Tony Podesta-s, të Tom Ridge-it, etj.
Meqë jemi këtu, po ju jap një info “të vockël” interesante. Në faqen ëeb të grupit “Podesta” shkruhen qysh në krye opinione ledhatuese të të tjerëve lidhur me këtë grup dhe nga këto opinione merret vesh motoja e qëllimi i këtij grupi. Ja çfarë shkruhet, fjala vjen: “Clients are going to get a blueprint for hoë to succeed in official ëashington”, ose: “If you ëant to get something done in ëashington, you go to Tony Podesta”, ose: “Podesta is no flash in the pan”, etj., etj., që në një shqipe të qartë e sintetike do bënin: “Ne jemi në gjendje t’iu hapim klientëve tanë çdo derë të mundshme në ëashington.
Janë me qindra mijëra dollarë të shpenzuara nga qeveria “Berisha” (për të mos folur për miliona dollarë të tjera që kanë shkuar në xhepa lobistësh, apo miqsh të tyre, në formën e investimeve publike dhënë ndonjë kompanie. Janë të gjitha pará të taksapaguesve shqiptarë, të cilat Berisha i përdor për të trukuar imazhin e tij ndërkombëtar, e për të krijuar idenë se ai është mik i Perëndimit. Dhe e bukura është se zullumet e kryera prej tij janë aq të mëdha sa edhe këto pará nuk i kanë bërë punë. Janë pará të harxhuara për një qëllim të pistë, por të çuara dëm për fatin tonë të mirë. Podesta, Ridge, Daul, Grossruck, etj., nuk ia kanë dalë të hapin dyert e kancelarive për Berishën.
Shyqyr që është kaq i marrë. Ndryshe, do na duhej të harxhonim shumë energji për t’u përballur me “mikun e ndërkombëtarëve”. Një frazë “i shpëtoi” ambasadorit amerikan, ajo mbi Berishën si burrë i madh shteti, dhe neve na u desh shumë (na ka ndihmuar dhe vetë Berisha pra, me marrëzitë e veta), që ta bindim ambasadorin Arvizu, tok me Reeker-in e tok me boss-ët e tyre në ëashington, se burri i tyre i shtetit është në të vërtetë një palo burrë dhe se nuk ia vlen t’i gjenden pranë në prapësitë e tij, s’ka gjë se ai vetë ka harxhuar shumë pará që ta sigurojë këtë “asistencë”.
Top Channel