Berisha: Të ulim moshën e votimit

11/03/2013 00:00

Neni i parë në kapitullin e lirive dhe të drejtave politike në Kushtetutën e Shqipërisë përcakton moshën 18 vjeç kur një shtetas shqiptar ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.

Por, me një lëvizje surprizë vetëm 105 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, kryeministri Sali Berisha propozoi uljen e moshës së votimit për të rinjtë, kur i kërkoi kreut të deputetëve demokratë të nisë negociatat me opozitën për të pranuar këtë propozim.

“Do t’i kërkoja kreut të grupit parlamentar demokrat që të takojë kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi dhe krerët e grupeve të tjera parlamentare për të diskutuar uljen e moshës së votimit në 16 vjeç. Janë me qindra të rinj, të cilët më pyesin se përse ata nuk votojnë”, deklaroi Berisha.

Shumë pak vende në botë e kanë moshën e votimit duke nisur nga 16 vjeç, ndër më kryesoret, Austira në Europë dhe Brazili në Amerikën e Jugut.

Pak javë më parë një debat i tillë u hap nga liberalët britanikë, por nuk u pranua nga kryeministri konservator David Cameron, partia e të cilit e konsideroi nismën e liberalëve një përpjekje për t’u dukur “trendy” dhe për të siguruar mbështetje mes të rinjve.

Një analizë e tillë mund të jetë e përshtatshme edhe për të përkufizuar nismën e kryeministrit Berisha për uljen e moshës së votimit nga 18 në 16 vjeç. Megjithatë, sipas kryeministrit, rinia shqiptare është konsideruar e pjekur që në traditën më të hershme të shoqërisë.

“Po të rrimë ta mendojmë thellë, moskonsiderimi i tyre dëshmon një prapambetje në kohë të gjykimit tonë për ta. Kjo është gjeneratë, e cila u mësua që në ditët e para të jetës me lirinë dhe vlerat e saj”, theksoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA