Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë organizuar një aksion simbolik në sheshin “Nëna Terezë”, ku kanë paraqitur një listë të zyrtarëve të partisë në pushtet, PDK-së, të cilët janë të akuzuar apo nën hetime.

Sipas Vetëvendosjes, janë 18 zyrtarë të kësaj partie, të cilët kanë pasur probleme me ligjin. 8 prej tyre janë kryetarë komunash, disa të dënuar e pastaj të falur, por shumica prej tyre janë nën hetime.

“Këta pushtetarë, aty ku nuk kanë privatizuar ndërmarrjet, kanë grabitur e përvetësuar jashtëligjshëm pronën publike. Aty ku nuk kanë përvetësuar pronë, kanë vjedhur buxhetin, pra taksat e qytetarëve, përmes tenderëve shumë milionësh”, thuhet në një komunikatë të këtij subjekti politik.

Më tutje, në komunikatën e Vetëvendosjes thuhet se “kjo rrjetë kriminale, që mban emrin PDK, ka shtrirë ndikimin e saj edhe në sistemin gjyqësor. Është iluzore të presësh rezultate prej njësisë ‘Task Force’ të iniciuar nga vetë kreu i kësaj qeverie, tashmë të inkriminuar. Ata nuk do ta gjykojnë vetveten”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes.

Top Channel