Rinovimi i udhëheqjes kineze

10/03/2013 17:05

Kina ka shkrirë Ministrinë e saj të fuqishme të Hekurudhave, në vazhdën e masave, që synojne nxitjen e efikasitetit të punës së qeverisë dhe frenimin e korrupsionit.

Ministria në fjalë, e kritikuar disa herë për mashtrime e shpërdorim fondesh, tanimë do të jetë pjesë e Ministrisë së Transporteve.

Komisioni i Planifikimit Familjar, nga ana tjetër, që mbikqyr zbatimin e politikës së shumë debatuar të një fëmije, do t’i bashkangjitet Ministrisë së Shëndetësisë.

Kongresi Kombëtar i Popullit, i cili do të çimentojë ndryshimin e lidershipit, që ndodh një herë në 10 vjet, është duke vazhduar punimet.

Kryetari i Partisë Komuniste, Xi Jinping, do të bëhet president, duke zëvendësuar në këtë mënyrë Hu Jintaon, ndërsa vendin e Ëen Jiabaos, në krye të qeverisë, do ta zërë Li Keqiang.

Në fjalimin e tij, me të cilin çeli punimet e Kongresit javën e kaluar, Ëen premtoi rritje të qëndrueshme ekonomike, përpjekje më të mëdha kundër korrupsionit dhe më shumë ndihmë sociale.

Ndryshimet e fundit në ministritë reflektojnë, sipas ekspertëve, shqetësimet e opinionit publik dhe të udhëheqjes kineze lidhur me korrupsionin dhe burokracinë.

Niveli i ulët i mbikqyrjes mendohet se është shkaku i punës së dobët të institucioneve në fjalë. Është vendosur gjithashtu edhe shkrirja e dy organizmave mbikqyrës të medias, administrata e përgjithshme e shtypit dhe publikimeve si dhe administrata e radios, filmit dhe televizionit.

Top Channel