Nigeri, vriten 7 të huajt e marrë peng

10/03/2013 00:00

Qeveritë perëndimore besojnë se shtatë shtetasit e huaj që u morën peng një muaj më parë në Nigeri nga një grup terrorist, janë ekzekutuar.

Vrasjet e shtatë qytetarëve nga Italia, Britania e Madhe, Greqia dhe Libani u komunikuan në një faqe interneti nga grupi ekstremist islamik, Ansaru. Pengjet u morën peng në një zonë ndërtimi në shtetin verior nigerian, Bauchi.

Në një deklaratë të shpërndarë ditën e dielë, Ministri i Jashtëm britanik, Ëilliam Hague njoftoi se shtetasi britanik i marrë peng që prej 16 shkurtit në Nigeri, me shumë gjasa është ekzekutuar së bashku me gjashtë kolegët e tij nga Italia, Greqia dhe Libani.

Londra dënoi vrasjet duke i quajtur si vrasje të pamëshirshme gjakftohtë. E njëjta deklaratë konfirmuese u lëshua edhe nga Ministria e Jashtme italiane, ndërsa ajo greke pohoi se nga informacionet e marra deri më tani, besohet se edhe shtetasi grek është ekzekutuar.

Hetimet për të verifikuar nëse shtatë të huajt që punonin në Nigeri ishin vrarë apo jo nisën pas postimit në internet të lajmit nga grupi Ansaru. Lajmi shoqërohej me foto nga shtatë trupa të pajetë. Menjëherë në Britani, Itali dhe Greqi specialistët u vunë në vërtetimin e autenticitetit të fotove.

Besohet se grupi ekstremist islamik, Ansaru është një zgjatim akoma më gjakatar i Boko Haram që vepron prej vitesh në veri të Nigerisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA