“E vërteta” e orkestrës së Vjenës

10/03/2013 16:55

Orkestra filarmonike e Vjenës pritet të bëjë publike detaje të historisë së saj gjatë periudhës naziste në përgjigje të akuzave për mbulim të fakteve.

Orkestra është kritikuar ashpër së fundi për mospranimin e lidhjeve me nazistët. Detajet, që priten prej saj, kanë të bëjnë me një unazë nderi, të bërë dhuratë guvernatorit nazist të Vjenës, Baldur von Schirach, i cili mendohet se ka mbikqyrur deportimin e dhjetra-mijëra hebrenjve.

Von Schirach e humbi unazën e dhënë në 1942-shin, por mendohet se një tjetër iu dorëzua në vitin 1960, pas lirimit nga burgu i Spandau-t, ku kishte vuajtur dënimin për krime kundër njerëzimit.

Austrisë iu deshën disa dekada, pas Luftës së Dytë Botërore, që të pranonte e të shprehte keqardhjen për rolin e saj në rajhun e tretë të Hitlerit dhe në holokaust.

Të martën, vendi shënon 75-vjetorin e aneksimit nga Gjermania naziste. Anschluss (anshlus) apo bashkimi u përfundua, kur forcat gjermane pushtuan një Austri krejtësisht joluftarake, 12 marsin e vitit 1938.

Tani, tre historianë, të kryesuar nga Oliver Rathkolb, janë angazhuar nga filarmonia e Vjenës, për të hartuar raporte mbi historinë e orkestrës në kohën e nazismit, të cilat do të publikohen më pas në faqen e saj të internetit.

Top Channel