Nga Ilir Yzeiri – Mendoni se çfarë do të kishte ndodhur sikur për 21 vjet me radhë banorët e një qyteti të kalonin para godinës së teatrit të qytetit të tyre dhe të shihnin afishen e së njëjtës dramë. 21 vjet me radhë, pra, çdo natë, në teatrin e qytetit të tyre shfaqet e njëjta dramë. Më tej akoma. Mendoni që kjo pjesë luhet nga të njëjtët aktorë. Çfarë do të kishte ndodhur?
Është vështirë të thuhet, por një gjë është e sigurt, që banorët e atij qyteti do të fillonin të rrudheshin nga shtati e të ndryshkeshin nga trutë. Një monotoni e tillë që të zgjaste kaq shumë do të kishte nevojë për shumë mjete të tjera që ta ndihmonin të mbahej në këmbë. Në radhë të parë do të kishte nevojë për sharlatanë. Sharlatanët në këtë rast janë ata komunikatorët me kostum e kravatë ose edhe pa to, që zihen me njëri-tjetrin për lojën e aktorëve në këtë dramë që luhet për 21 vjet rresht. Pjesa më e madhe e këtyre sharlatanëve drejtohet nga maxhordomë ose kamerierë politikë që thërrasin njerëz nëpër studio me drita të njelmëta dhe i vënë apo i ndërsejnë kundër njëri-tjetrit për të argumentuar se aktorët e kësaj drame që ka 21 e një vjet që luhet në këtë vend të shëmtuar ia fusin njëri-tjetrit dhe e shkatërrojnë njëri-tjetrin me dredhi, me hile, me hajni e me lloj-lloj gënjeshtrash.
Këto studio me dritë i nxisin njerëzit që të duan më shumë atë politikan që është më hajdut se tjetri, atë që ia hedh apo që ia fut sa krahu tjetrit. Populli që është poshtë në sallë rri bën sehir dhe pasi mbaron telenovelat e ardhura nga Turqia i hedh një sy edhe dramës që shfaqet në teatrin kombëtar të qytetit për të bërë përsëri të njëjtin gabim, për t’u mashtruar e për ta shtruar kurrizin ashtu siç ka bërë mot e jetë, në mënyrë që mbi kurrizin e tij të hipë udhëheqësi i radhës me lehtësinë më të madhe që pastaj ta vrasë, t’i fusë shqelma barkut dhe ai të ketë fuqi e pasion që ta duartrokasë përsëri në shfaqjen që do të vazhdojë edhe për 21 vjet të tjera.
Përtej alegorisë, kriza që po përjeton Shqipëria nuk është si kriza që po përjeton demokracia europiane. Këto ditë edhe këtu te ne u bënë përpjekje që ta paraqesin fenomenin Grillo si një përmasë të pakënaqësisë së përgjithshme që është edhe këtu te ne. Shqipëria nuk ka problemet e demokracisë që kanë vendet europiane. Shqipëria është një shtet hibrid që lëkundet mes feudalizmit dhe shthurjes shoqërore. Në Shqipëri lejohet gjithçka. Është e ndaluar vetëm një gjë, ndërrimi i pushtetit me votë të lirë. Në Shqipëri, Sali Berisha nuk është Kryeministër i vendit, ai sillet si i pari i një fisi që ka në dorë financat publike dhe mund të bëjë me to si të dojë.
Në modelin e administrimit publik shqiptar vepron ende arketipi i Baba Dovletit ose Baba Sulltanit që dikur i thoshin llamba e botës. I pari i vendit në Shqipëri nuk ka frikë asgjë. Ndaj tij nuk vepron ligji. Ai është mbi ligjet. Ai mund të vjedhë, mund të shpërblejë cilindo që i shërben. Njësoj si beu i dikurshëm që qeveriste çifligun e tij, Kryeministri i sotëm të bën të pasur ose të kall në dhé. Ai nuk ka frikë. Te novela e famshme e Kutelit “Vjeshta e Xheladin beut”, beu i novelës bën kujdes që ta ketë mirë me Vezirin e madh e me Sulltanin. Për këtë, ca nga paratë që fiton i dërgon atje. Edhe Sali Berisha ynë nuk ka nevojë për ambasadë shqiptare në Uashington, mjafton që të dërgojë ca para të thata pranë sulltanit të madh, atij që ndrit botën. Për Sali Berishën, Presidenti Obama nuk është udhëheqësi i vendit më të fuqishëm dhe kampion i demokracisë, jo, për Sali Berishën ai është Baba Dovleti që duhet dorovitur me dollarë. Nëse ai vetë nuk i merr ato, duhet menduar për Podestën. Jepi atij dollarë me thasë dhe nga Perandoria e ke siguruar edhe për ca vjet qeverimin. Pas kësaj derdhu mbi çifçinjtë e tu dhe vriti e rripi të gjallë.
Tani po bëhet gjithnjë e më e qartë se në vitin 1990 ne nuk ndërruam sistemin, por ndërruam sunduesin. Në fakt nuk e ndërruam ne, por pasi ra vetë, i dhamë edhe ne një dorë dhe ai më tinëzari e rrëmbeu kasafortën e pushtetit dhe sillet me të njësoj si të gjithë ata që kanë qeverisur para tij. Ahmet Zogu iku me bisht ndër shalë, sepse pushtetin e kishte të lidhur me një qendër perandorake, me Romën. Enver Hoxha e dinte se po të vijonte ta mbante pushtetin të lidhur me një qendër perandorake do të thyente qafën, ndaj edhe zgjodhi izolimin dhe telat me gjemba.
Sali Berisha, si një dishepull i tyre, ka zgjedhur të dërgojë peshqeshe dhe para në zemër të Dovletit. Me këto para ai shpreson të plaçkitë edhe për ca kohë çifligun e tij. Ndërkaq, ne shqiptarët do të vijojmë të shohim në skenën e teatrit vetëm një dramë dhe vetëm një aktor. Gjithë të tjerat, për fat të keq, janë përralla… Berisha, ashtu si Xheladin Beu i novelës së famshme të Kutelit, edhe nëse gdhihet ndonjë mëngjes me gojën shfran të hidhur, do të ketë aty pranë Sheqeren e Parlamentit që do t’i bëjë një kahve gjithë shkumë që ai ta ngjirosë me ohoho e ahaha… Aferim!
Poshtë ballkonit të sarajeve të pushtetit ata do të shohin çifçinjtë e gjorë që bëjnë gati kurrizin që të hipë edhe njëherë tjetër beu i Shqipërisë, sepse kot nuk u dhanë gjithë ato para te Podesta e Dovletit…Ohoho… psherëtin beu ynë e rrufit kahvenë që i sjell Sheqerja e Parlamentit, ditën e 8 Marsit, kur gratë e Çifligut ulëritnin: “Rroftë beu ynë! Rroftë beu!” “Poshtë ai që nuk do Dovletin e Madh!” “Poshtë ai që nuk do beun tonë, rroftë beu…”
Top Channel