Krerët e shtetit serb duan kompromis që Kosova të pranojë kushtet e
Serbisë për asociacionin e komunave serbe, për të cilin qeveria ka
kërkuar edhe kompetenca ekzekutive.

Për këtë arsye presidenti Tomisllav Nikoliç, kryeministri Ivica Daçiç dhe zëvendësi i tij, Alleksandar Vuçiç do të udhëtojnë për në Bruksel javën e ardhshme në mënyrë që të kërkojnë nga BE-ja që të ndikojë tek Prishtina për këtë arsye.

Daçiç ka thënë se, si kryeministër është munduar të tregojë se zgjidhje të vërteta pa kompromis nuk do të ketë. Sipas tij, duket që është afër zgjidhja, por për asociacionin e komunave serbe në njëfarë forme është përcaktuar se çfarë organesh do të ketë, por jo edhe kompetencat.

“Ne mendojmë se Serbia duhet të ketë kompetenca më të mëdha se sa është e gatshme të ofrojë Prishtina”, ka thënë Daçiç. Ndërkohë, deklarata tjetër e kryeministrit serb, se për dhjetë vite më radhë qytetarët serbë janë gënjyer me qëndrimet zyrtare se Kosova është Serbi, janë mirëpritur nga Prishtina.

Mediat në Serbi kanë njoftuar se është arritur një marrëveshje verbale me Prishtinën, por nga ana tjetër për shtetin është me rëndësi që të përcaktohen qartë kompetencat e asociacionit serb që ka zëvendësuar kërkesën për autonomi.

Top Channel