Itali, shpërthejnë bombolat e gazit, tre të vdekur

09/03/2013 00:00

Të paktën tre persona kanë humbur jetën paraditen e së shtunës në Itali
nga shpërthimi i dy bombolave të gazit që ndodheshin në një furgon, në
qendër të një qyteti të vogël verior.

Ngjarja, sipas raportimeve të mediave italiane, ka ndodhur në sheshin Republika të qytezës së Guatalas, në provincën e Rexho Emilias.

Furgoni përdorej për shitje ambulante dhe në momentin e shpërthimit brenda tij ndodhej titullari, bashkëshortja, kunata dhe vajza, të moshave 55, 50, 50 dhe 28 vjeç. Tre femrat kanë vdekur.

I vetmi i mbijetuar është pikërisht pronari i furgonit, i cili është transportuar për në spitalin e qytetit të Parmës përmes një helikopteri. Gjendja e tij është e rëndë, ndërkohë që të plagosur lehtë kanë mbetur edhe disa klientë e kalimtarë.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur hetues nga prokuroria, karabinierët dhe zjarrfikësit, të cilët po mundohen të zbardhin rrethanat e shpërthimit.

Pista më e akredituar është ajo e një shpërthimi të dyfishtë: pas bombolës së parë ka shpërthyer një e dytë si pasojë e rrjedhjes së gazit.

Dëshmitarët tregojnë për mediat lokale se sheshi u mbush me tym të zi dhe se njerëzit e pranishëm i zuri paniku, por situata u qetësua pas ndërhyrjes së zjarrfikësve.

Furgoni është shkatërruar tërësisht nga shpërthimi i fuqishëm, ndërkohë që janë dëmtuar edhe një stendë ku shiteshin rroba që ndodhej aty pranë, si dhe disa makina përreth. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA