Dhëndri i Bin Laden: Jam i pafajshëm

09/03/2013 00:00

Njeriu i konsideruar si zëdhënësi i Osama bin Laden është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave se ndihmoi në përgatitjen e sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork.

Sulaiman Abu Ghaith, 47 vjeç, iu dorëzua zyrtarëve amerikanë në Jordani javën e kaluar, pasi ishte dëbuar nga Turqia, kanë deklaruar autoritetet.

Një predikues nga Kuvajti, Ghaith është gjithashtu dhëndri i Bin Laden. Vendimi i administratës Obama për ta gjykuar atë në një gjykatë civile është kritikuar nga republikanët.

Ata thonë se Ghaith duhet të dërgohet në qendrën e burgimit të Guantanamos në Kubë për t’u përballur me një gjyq ushtarak.

Ditën e premte, Ghaith u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për komplot me qëllim vrasjen e shtetasve amerikanë, në proçesin e zhvilluar në një gjykatë të Manhatanit, rreth një milje larg vendit ku dikur ngriheshin kullat binjake të World Trade Center.

Prokurori John Cronan i tha trupit gjykues se i pandehuri kishte dhënë një deklaratë të gjatë pas arrestimit, e cila përmbahet në 22 faqe. Gjyqi ndaj tij do të rifillojë më 8 prill dhe pritet të zgjasë tre javë.

“Ghaith kishte një pozicion kyç në radhët e Al Kaedës, i krahasueshëm më një këshilltar në një familje mafioze, ose me një ministër propagande në një regjim totalitar. Ai përdori postin e tij për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe për të nxitur armiqtë e tyre”, deklaroi ndihmës-drejtori i FBI, George Venizelos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA