Dakota e Jugut “armatos” mësuesit

09/03/2013 04:00

Shteti amerikan i Dakotës së Jugut ka miratuar një ligj, që lejon shkollat e këtij distrikti të armatosin mësuesit si dhe stafet e tyre.

Mbështetësit e ligjit thanë se në këtë mënyrë do të shmangen masakrat nëpër shkolla, si ajo e dhjetorit të kaluar në Connecticut, ku mbetën të vrarë 26 persona.

I nxitur nga shtytja e Shtëpisë së Bardhë për të ashpërsuar ligjet kundër armatimit, ky ligj reflekton përçarjen e madhe në SHBA, nëse kontrolli më i rreptë apo jo i armëve do të shpëtojë jetë njerëzish.

Kjo masë nuk detyron shkollat e këtij distrikti për të armatosur mësuesit, si dhe nuk i kërkon atyre të mbajnë armë. Por, lejon çdo shkollë të distriktit të zgjedhë, nëse stafi duhet apo jo të armatoset. Ky ligj hyn në fuqi në korrik.

Sipas projekt-ligjit të republikanëve, personeli i shkollës, i cili ka leje për të mbajtur armë në kampuse, do të njihet si “roja i shkollës”. Shteti i ka dhënë një Komisioni të zbatimit të ligjit detyrën për të hartuar një program trajnimi për rojet e shkollave.

Disa përfaqësues të bordeve të shkollave, mësues dhe anëtarë të tjerë të stafeve, kanë dalë kundër këtij ligji gjatë procesit dëgjimor në legjistativ, duke argumentuar se armët mund t’i bëjnë shkollat më të rrezikshme.

Por, përfaqësuesi i sponsorëve republikanë, Scott Craig, tha se kishte dëgjuar këtë javë shumë zyrtarë shkollash në mbështetje të tij. Craig shtoi se distriktet rurale nuk kanë parà për të punësuar oficerë policie me kohë të plotë.

Top Channel