Bie fama e “Noma”-s

09/03/2013 01:20

Restoranti “Noma” është më i famshmi në botë për kuzhinën nordike plot risi, duke përdorur si përbërës; mushqet, tërfilin apo salsat e rralla me rrënjë pemësh.

Emri i shefit me origjinë shqiptare, Rene Rexhepi, është përmendur në revistat prestigjoze, si një nga njerëzit më me influencë në botë.

Por kësaj here është në fokus të mediave botërore, jo për mirë. Disa klientë, javët e fundit, kanë patur probleme shëndetësore; të vjella e diarre, pasi kanë provuar ushqimet e veçanta në restorantin Noma.

Funksionarët e Departamentit të Ushqimit në Danimarkë kanë inspektuar, gjatë këtyre ditëve, restorantin. Të paktën 63 klientë nuk ishin ndjerë mirë, pasi kishin ngrënë drekë aty në mesin e muajit shkurt.

Gazeta “Esktra Bladet” foli për virusin e Norwalkut. Ai shkaktohet nga uji apo ushqimi i ndotur. Agjencitë e lajmeve shkruajnë se, edhe pjesëtarët e stafit shfaqën po të njëjtat simptoma.

Drejtori i “Noma”-s, Peter Kreiner, përmes një deklarate, shprehu keqardhjen: “Po përpiqemi të gjejmë burimin e infeksionit, – tha ai, – ndoshta ka mbërritur nga ndonjë nëpunës i sëmurë”.

Sipas Departamentit të Ushqimit në Danimarkë, restoranti Noma nuk kishte dizinfektuar për një periudhë të gjatë kohe kuzhinat, madje u zbulua se në restorant nuk kishte as ujë të ngrohtë, ku pjesëtarët e stafit të lanin duart.

Pranverën e kaluar, Noma u vlerësua për të tretin vit radhazi si restoranti më i mirë në botë. Ka një menu gati 200 euro për person. Shefi i saj, 33-vjeçari Rene Rexhepi, me dy yje Mishelin, konsiderohet si pioner i kuzhinës së re nordike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA