Tunizi, arrihet marrëveshje për qeverinë e re

08/03/2013 04:30

Kryministri i zgjedhur i Tunizisë, Ali Larayedh, ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për formimin e qeverisë së re, pas “negociatave maratonë”.

Larayedh tha se kabineti i ri do të prezantohet ditën e premte para presidentit Moncef Marzouki. Tunizia u përfshi nga trazirat, që pas vrasjes së liderit të opozitës, Chokri Belaid, më 6 shkurt.

Vrasje, e cila provokoi protesta masive dhe dorëheqje të shumta nga koalicioni qeverisës. Ish-kryeministri Hamadi Jebali u dorëhoq, pasi e kishte të pamundur të krijonte një qeveri teknokrate, e cila ishte e nevojshme sipas tij, pas vdekjes së Belaid.

“Pas negociatave maratonë, kemi arritur një marrëveshje për qeverinë e re”, tha Larayedh, gjatë një konference për shtyp, mbrëmjen e së enjtes. “Jemi duke bërë përgatitjet e fundit, të cilat do të vazhdojnë edhe mëngjesin e së premtes, përpara se lista t’i prezantohet presidentit të vendit”.

Më pas ai shtoi: “Me ndihmën e Zotit, qeveria e re besohet të jetë qeveria e të gjithë tunizianëve”. Larayedh u ngarkua me formimin e qeverisë së re më 22 shkurt, teksa kishte kohë deri mesnatën e së premtes për të përmbushur afatin kushtetues për krijimin e saj.

Pritet që kabineti i ri të përmbajë të njëjtët elementë politikë si qeveria e sapolarguar. Përpjekjet për të zgjeruar qeverinë, të dominuar nga partia islamike Ennahda, duke përfshirë të tjera grupe politike, dështuan gjatë konsultave të fundit, duke e lënë Ennahda me po të njëjtët partnerë koalicioni, të dyja laike.

Top Channel