Rusia nuk do i bëjë presion Assad-it

08/03/2013 08:00

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, theksoi se nuk ka asnjë shans që Rusia t’i bëjë thirrje presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, të largohet nga posti i tij. Ai u shpreh për BBC se Rusia nuk do të ndërhyjë në ndryshimin e regjimit në Siri.

Rusia ka qenë gjithmonë një aleat i ngushtë i Sirisë dhe është furnizuesi më i madh me armë i këtji vendi. Lavrov deklaroi: “Nuk e kemi në dorë ne të vendosim se kush do e udhëheqë Sirinë. Këtë gjë e vendos vetëm populli sirian.”

Kur u pyet nëse ekziston mundësia që Moska zyrtare t’i kërkojë Assad-it të largohet nga pushteti, Lavrov tha: “Absolutisht jo. Ne jemi kundër ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër kur është në konflikt.”

“Ne duam një Siri të bashkuar dhe demokratike. Ne kërkojmë që populli sirian të zgjedhë në liri të plotë mënyrën se si duan të qeverisen”, shtoi ministri i jashtëm rus.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka llogaritur se që nga nisja e konfliktit në Siri, 70 mijë persona kanë humbur jetën. Gjithashtu mendohet se rreth 1 milionë të tjerë janë larguar nga vendi i tyre.

Top Channel