Për shkak të sulmeve të fundit me granata dhe shtimit të akteve të dhunës të cilat rrezikojnë sigurinë publike, Policia e Kosovës dhe EULEX-i do të rrisin praninë e tyre policore në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas një njoftimi të përbashkët për shtyp, këto masa janë duke u ndërmarrë për të mbrojtur komunitetin lokal.

“Numri i patrullave të përbashkëta të PK-së dhe EULEX-it do të shtohen veçanërisht gjatë natës. Po ashtu, patrullat do të bëjnë edhe kontrolle parandaluese të personave dhe automjeteve”, thuhet në njoftim.

Sipas dokumentit, policia vendase dhe ajo e misionit evropian për rendin dhe ligjin janë duke bashkëpunuar ngushtë në zhvillimin e hetimeve penale.

“Kushdo që ka ndonjë informatë lidhur me incidentet e fundit, duhet të lajmërojë Policinë e Kosovës në 028-92 ose 028-192. Ndërsa task forca e EULEX-it për Mitrovicën mund të kontaktohet drejtpërdrejtë në numrin: 038 512 638”, përfundon njoftimi.

Situata e tendosur në këtë pjesë të Kosovës ishte njëra nga temat që shefi i ri i EULEX-it, Bernd Borchardt bisedoi dy ditë më parë me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në vizitën e tij të parë në këtë qytet.

“I tregova se situata në Mitrovicën veriore është mjaft e tendosur, posacërisht këto ditët munden me qenë ditët në të cilat thjesht ekstremistët kanë me qenë të provokuar me mosrealizimin e synimeve të veta”, deklaroi Kastrati. 

Top Channel