Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar mundësinë, që partia e tij të përfshihet në ndonjë bllok opozitar.

Një ide të tillë e pati dhënë kohë më parë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili kishte ftuar publikisht AAK-në e Haradinajt, AKR-në e Behgjet Pacollit, si dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë, që të bashkëpunojnë dhe në zgjedhjet e ardhshme të jenë në një platformë të përbashkët.

Një ditë më herët, kreu i AAK-së ka pohuar se PDK-ja e Thaçit do të ishte mundësia e fundit për koalicion, ndërsa ka përseritur se nuk e përjashton LDK-në e as Vetëvendosjen.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke folur për idenë e bashkimit të qendrës së djathtë, ka thënë se është e rëndësishme që, subjektet opozitare të këtij profili të fitojnë sa më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të mund ta formojnë qeverinë, por sipas tij, të gjitha gjasat janë që LDK të shkojë e vetme në zgjedhje.

Ndërkaq, në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ishte afër arritjes së një marrëveshjeje me AAK-në për bashkëqeverisje, duket se nuk e kanë marrë me seriozitet deklaratën e Haradinajt, që tani, këtë parti e ka vendosur si mundësinë e fundit për partner politik. Në PDK thonë se është shumë herët për të folur për koalicionet e mundshme.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet e ardhshme parlamentare parashikohen të mbahen në vjeshtën e vitit 2014, por shpeshherë ka pasur zëra se ato mund të mbahen më herët.

Top Channel