Prishtina zyrtare e mirëpret deklaratën e kryeministrit serb, Ivica Daçiç, se për dhjetë vite më radhë qytetarët serbë janë gënjyer me qëndrimet zyrtare se Kosova është Serbi.

Vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka komentuar këtë deklaratë të premten, të cilën e ka vlerësuar si mesazh të vonuar, por që i duhej edhe qytetarëve dhe institucioneve të Serbisë.

“Është një mesazh i vonuar, por i mirëpritur. Është një mesazh që i duhej përcjellë si qytetarëve, ashtu edhe institucioneve të Serbisë. Është një fillim i ri prej liderëve të Beogradit, i përkushtimit edhe për njohjen de jure të Republikës së Kosovës. Kjo po ndodh në një moment të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka deklaruar Thaçi.

Megjithkatë, sipas kryeministrit, institucionet e Kosovës nuk duhet ta marrin me entuziazëm këtë deklaratë, por me një vlerësim realist, gjithmonë duke parë sjelljen në praktikë të liderëve të Beogradit.

“Në mënyrë që të mos pretendojnë edhe më tutje të cënojnë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial të saj, që të përmbushet sa më shpejt shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe të nisë funksionimi i të gjitha institucioneve të drejtësisë edhe në veri sipas ligjeve të Kosovës, duhet të organizojmë sa më shpejt zgjedhje të lira në veri sipas ligjeve tona”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, zëvendësi i Thaçit në qeveri nga radhët e komunitetit serb, Sllobodan Petroviç, është shprehur se ajo që ka thënë Daçiç është diçka që shumica e di, veçanërisht serbët që jetojnë në Kosovë, ndërsa ka shtuar se kjo deklaratë është në dobi të proçesit të dialogut.

“Ajo që është fakt, është se kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ka thënë diçka që shumica e di, veçanërisht ne serbët që jetojmë në Kosovë. Për ne, asgjë nuk është e re. Ajo që është e re është se është thënë nga ana e kryeministrit të Serbisë, që është mjaft me rëndësi. Jam plotësisht i vetëdijshëm se nuk është aspak popullore për kryeministrin Daçiç. Por, pikërisht është imazhi i një shtetasi të vërtetë që për çdo rast ka treguar se dëshiron të zgjidhë problemet. Nëse nuk e dimë gjendjen reale në Kosovë dhe ku janë problemet, atëherë nuk kemi shanse që t’i zgjidhim ato. Dhe pikërisht kjo deklaratë shkon në dobi të proçesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili mund të themi se është historik, pasi për herë të parë zhvillohet një dialog në një nivel kaq të lartë dhe në këtë format”, ka deklaruar Petroviç.

Sidoqoftë, kryeministri serb, Daçiç është zyrtari i parë shtetëror i Serbisë që bën një deklaratë të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA