Sofja, e keqardhje për dorëzimin e mbi 11 hebrenjve tek autoritetet gjermane

Bullgaria shprehu për herë të parë keqardhjen e saj zyrtare për 11 mijë hebrenjtë që u transferuan nga vendi në kampet e përqendrimit naziste, nga qeveria aleate e Sofies gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një deklaratë të Parlamentit Bullgar, gjithsesi përgëzohej rezistenca që i bënë bullgarët zhvendosjes së më shumë se 48 mijë hebrenjve të tjerë në kampet e shfarrosjes.

Pothuajse të gjithë 11 343 hebrenjtë që Sofia dorëzoi në duart e gjermanëve, u dërguan në kampet e vdekjes në Poloni dhe vetëm disa qindra i mbijetuan luftës.

Duke iu referuar këtij kontigjenti, deklarata shkruante: “Ne dënojmë këtë akt kriminal, të realizuar nga komanda e Hitlerit dhe shprehim keqardhjen tonë të thellë për faktin se administrata vendore bullgare nuk ishte në pozitë që të ndalonte këtë akt”.

Në aktin më të vlerësuar të guximit bullgar, në vitin 1943, gjermanët grumbulluan 8 500 hebrenj gati për deportim, në qytetin e Plovdivit. Megjithatë, u detyruan të tërhiqeshin nga planet e tyre, pas protestave të fuqishme të popullsisë vendase, klerit dhe vetë Mbretit Boris III.

Në kujtim të viktimave të Holokaustit, në datën 13 mars, Bullgaria do të organizojë një manifestim përkujtimor në qytetin e Homit, në veri, nga ku niseshin kontigjentet me hebrenj në rrugën e tyre të vdekjes.

Top Channel