SHBA, rindërtimi i Irakut me humbje

07/03/2013 04:40

Përpjekjet amerikane për rindërtim në Irak, kanë korrur pak fryte, pavarësisht 60 miliardë dollarëve të shpenzuara, që prej invazionit të 2003, bëri të ditur një auditor amerikan për rindërtimin.

Në raportin e tij të fundit, inspektori i përgjithshëm për rindërtimin e Irakut ka vlerësuar se SHBA-të kanë hedhur dëm të paktën 8 miliardë dollarë.

Stuart Bowen theksoi se “efektet e limituara pozitive” vijnë për shkak të korrupsionit, sigurisë së dobët dhe konsultimet e pamjaftueshme me autoritetet irakiane.

Lufta 8-vjeçare në Irak i kushtoi Amerikës rreth 800 miliardë dollarë dhe afro 5000 jetë të humbura. Ndërsa në “mësimet” nga Iraku, siç konsiderohet raporti i tij i fundit për Kongresin amerikan, përpara se zyra e tij të pushojë së vepruari, Bowen tha se dështimi në Irak ofron leksione për rindërtimin diku tjetër.

SHBA-të po planifikojnë të tërheqin trupat luftarake nga Afganistani në fund të 2014-s. Raporti bazohet në qindra inspektime dhe auditime rreth Irakut, ashtu sikurse dhe te dhjetra intervista me zyrtarë e politikanë irakianë dhe amerikanë.

“Besimi i përgjithshëm në secilin grup është, se programi i lehtësimit dhe rindërtimit duhet të kishte korrur më shumë sukses, se shumë shpenzime kanë shkuar dëm dhe se leksionet e rrjedhura nga eksperienca e rindërtimit të Irakut mund të çojë drejt përmirësimit të sjelljes së SHBA-ve ndaj operacioneve stabilizuese dhe rindërtuese diku tjetër në të ardhmen”, raportoi Bowen.

Top Channel