Obama darkon me senatorët republikanë

07/03/2013 15:20

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, darkoi me një grup senatorësh republikanë, në serinë e re të bisedimeve mbi buxhetin e ri shtetëror.

Lajmi u raportua mëngjesin e së enjtes nga zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, e cila publikoi edhe emrat e të pranishmëve në këtë darkë.

Megjithatë, disa drejtues kryesorë republikanë, të cilët kanë këmbëngulur në realizimin e paketës së shkurtimeve prej 85 miliardë dollarësh në vit, nuk ishin të ftuar.

Darka u mbajt në hotelin “Jeffereson” në Uashington, një zonë e njohuar për paanshmërinë e saj dhe e preferuar edhe për takime të tjera politike midis dy palëve në të shkuarën. Takimi zgjati për një orë e gjysmë, por Shtëpia e Bardhë nuk zbuloi me imtësi se cilat ishin temat e diskutuara.

Të dyja forcat politike në SHBA përballen prej muajsh mbi mënyrën se si duhet të shkurtohet defiçiti shtetëror, me republikanët që mbështesin shkurtimet dhe demokratët e presidentin Obama që sugjerojnë një rritje taksash.

Pas disa javësh pamundësie për të gjetur një marrëveshjen, në datën një mars hynë në fuqi 85 miliardë dollarë shkurtime në buxhetin federal.

Konkretisht, 43 miliardë dollarë shkurtime në vit do të hiqen nga sektori i mbrojtjes dhe 11 miliardë dollarë nga shëndetësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA