Mali, trupat franceze do të tërhiqen në prill

07/03/2013 03:00

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka bërë të ditur se vendi i tij do të nisë tërheqjen e trupave nga Mali, duke nisur nga muaji i ardhshëm.

Ai tha se faza finale e ndërhyrjes ushtarake do të vazhdojë edhe gjatë marsit, duke u zvogëluar në prill.

Gjatë fushatës në veri të Malit janë vrarë “liderët terroristë”, tha Hollande pa dhënë emra konkretë.

Një ushtar francez dhe 10 rebelë janë vrarë gjithashtu gjatë përplasjeve në lindje të provincës Gao, bënë të ditur zyrtarët e mbrojtjes.

Që nga nisja e operacioneve, më 11 janar, kanë vdekur 4 ushtarë francezë.

Duke folur në Varshavë, Hollande tha: “Kupola terroristë është shkatërruar”, edhe pse nuk është qartësuar nëse ai i është referuar dy liderëve të raportuar si të vdekur gjatë javës së kaluar.

Çadi bëri të ditur se ushtarët e tij, të cilët luftojnë përkrah trupave franceze, kanë vrarë dy komando kryesorë të militantëve, Abdelhamid Abou Zeid, nga grupi islamik i al-Qaeda-s, Maghreb, si dhe liderin veteran islamik Mokhtar Belmokhtar.

Gjithsesi, francezët nuk i kanë konfirmuar ende këto raporte. Rreth 4000 forca ushtarake franceze ndodhen aktualisht në vendin afrikano-perëndimor. Ushtria e Malit dhe disa trupa të vendeve afrikane, përfshi 2000 nga Çadi, janë përfshirë në luftimet e fundit.

Franca kishte deklaruar fillimisht se numri i ushtarëve do të binte gjatë marsit, nëse gjithçka do të shkonte sipas planeve, por Hollande e shtyu tërheqjen e trupave franceze për në muajin prill, teksa ushtarët afrikanë do të marrin drejtimin, të mbështetur nga europianët.

Top Channel