KS, sanksione shtesë ndaj Penianit

07/03/2013 00:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi unanimisht zgjerimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut si kundër-reagim ndaj testit bërthamor që Peniani ndërmori muajin e kaluar.

Sanksionet e reja shënjestrojnë diplomatët koreano-veriorë,  transfertat e parave dhe aksesin ndaj të mirave materiale që përfshihen në listën e mallrave të luksit. Gjithashtu u bllokohen asetet dhe u ndalohet udhëtimi tre individëve dhe dy kompanive të lidhura në marrëdhënie tregtie me ushtrinë e vendit komunist.

Duke folur pas votimit, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB-së, Susan Rice deklaroi se dokumenti është një provë që tregon se e gjithë bota është kundër aksioneve të Penianit. Ajo u shpreh e bindur se sanksionet do të japin rezultatin e duhur për të ndalur programin dhe testimet bërthamore të Penianit.

Rice paralajmëroi se Këshilli i sigurimit është i gatshëm të ndërmarrë aksione akoma më drastike nëse Koreja e Veriut ndërmerr një tjetër testim bërthamor.

Muajin e kaluar Peniani kreu testin e tretë bërthamor që nga vitit 2006. Testimi u kritikua ashpër dhe këtë radhë vendi komunist u braktis edhe nga aleatët tradicionalë si Kina dhe Rusia.

Megjithatë, linja e ashpër e Koresë së Veriut ndaj ndërkombëtarëve nuk është zbutur aspak, përkundrazi. Në deklaratat e fundit të mbërritura nga Peniani “kërcënohet” me goditje të fortë ndaj Seulit dhe Shteteve të Bashkuara nëse vendi përballej me sanksione të reja.

Top Channel