Koreja e Veriut kërcënon SHBA

07/03/2013 00:00

Koreja e Veriut ka kërcënuar të enjten Shtetet e Bashkuara me një sulm bërthamor, duke ngritur nivelin e retorikës kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së po shqyrton mundësinë e aplikimit të sanksioneve të reja kundër vendit aziatik.

Koreja e Veriut ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përdorin stërvitjet ushtarake në Korenë e Jugut si një trampolinë për një luftë bërthamore dhe ka paralajmëruar me shkeljen e armëpushimit me Uashingtonin që i dha fund konfliktet të viteve 1950-53.

Peniani, i cili ka një aleat të madh, si Kinën fiqnje, kërcënon Shtetet e Bashkuara dhe “kukullën” e tyre, në këtë rast Koreja e Jugut, se sulmi eventual i tij është çështje ditësh.

“Meqenëse Shtetet e Bashkuara po ndezin një luftë bërthamore, ne do të ushtrojmë të drejtën tonë për të paraprirë me një sulm atomik kundër bazave qëndrore të agresorit, në mënyrë që të mbrojmë interesat tona supreme”, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Veriut, e cituar nga agjencia e lajmeve “KCNA”.

Koreja e Veriut, stërvitje ushtarake

Koreja e Veriut po zhvillon një seri stërvitjesh ushtarake në shkallë
të gjerë, ka njoftuar Koreja e Jugut, duke ngritur tensionet
në gadishullin aziatik.

Kjo lëvizje vjen pasi Peniani kërcënoi se do të shpërfillë armëpushimin
60-vjeçar që i dha fund luftës koreane. Më vonë gjatë së enjtes,
Këshilli i Sigurimit do të votojë një rezolutë që imponon sanksione më
të ashpra ndaj Penianit për testin e tij të fundit bërthamor.

Testi në fjalë, i treti i këtij lloji, erdhi pas lëshimit me sukses të
një rakete me tre faza të ndryshme veprimi në dhjetor, edhe kjo një
lëvizje e kritikuar nga OKB.

Peniani deklaron se testi i tij bërthamor u krye me një pajisje më të
vogël por më të fuqishme, duke ngritur shqetësimin se vendi mund të
lëvizë drejt krijimit të një koke bërthamore, që mund të armatosë një
raketë.


Australia s’i lejon Penianit hapjen e ambasadës

Ndërkohë, Australia ka frenuar planet e Koresë së Veriut për të rihapur ambasadën e saj në kryeqytetin Kanberra. Patrick Low, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme australiane, deklaroi se ka disa kritere që duhet të plotësohen që Koreja e Veriut të ketë një ambasadë në Australi, përfshirë këtu mundësimin e komunikimit për çështjet e të drejtave të njeriut.

Sipas zëdhënësit, planet e Penianit janë ngrirë deri në një informacion të mëtejshëm. Më herët gjatë muajit, Australia punoi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së për përgjigjen ndaj testit bërthamor të Koresë së Veriut.

Për herë të parë Koreja e Veriut hapi ambasadën e saj në Australi në vitin 2002, por e mbylli atë gjashtë vjet më vonë për motive financiare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA