
Trupi i presidentit të ndjerë venezuelian Hugo Chavez është vendosur në akademinë ushtarake në Karakas. Zoti Chavez vdiq në moshën 58-vjeçare pasi vuajti nga kanceri për pothuajse dy vjet.
Familja e tij dhe bashkëpunëtorë të afërt, si dhe presidentët e Argjentinës, Bolivisë dhe Uruguait bënë homazhet e tyre përpara arkivolit të hapur vonë gjatë së mërkurës.
Më herët qindra mijëra persona mbushën rrugët e kryeqytetit për t’i bërë homazhet e tij, duke bërë që kalimi i makinës mortore të kërkonte disa orë për të arritur në akademi.
Funerali shtetëror për Chavez do të mbahet ditën e premte. Kreu i rojës presidenciale u citua nga agjencia e lajmeve “Associated Press” të thoshte se kishte qenë me presidentin kur ai ndërroi jetë.
Gjenerali Jose Ornella deklaroi se Chavez vdiq nga një atak në zemër dhe në momentet e fundit kishte thënë se dëshironte të vazhdonte të jetonte.
“Ai nuk fliste dot, por tha duke lëvizur buzët: “Nuk dua të vdes. Të lutem mos më lërë të vdes””, tha gjenerali Ornella sipas “AP”.
Mbështetësit e Chavez u mblodhën të mërkurën në Karakas për të parë arkivolin e tij teksa kalonte nëpër rrugë nga spitali ushtarak ku ai vdiq të martën për në akademinë ushtarake, ku dhe ndodhet aktualisht.
Në varrim pritet të jetë i pranishëm edhe presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad, i cili duke komentuar vdekjen e homologut, deklaroi se sëmundja e tij ishte e dyshimtë.
Vdekja e Chavez do të hapë një kapitull të ri për Venezuelën. Por kush do të jetë personi që do të pasojë Chavezin në krye të vendit amerikano-latin?
Analistët ndërkombëtarë thonë se presidenti i ri i Venezuelës, që do të zgjidhet brenda 30 ditëve, do të jetë një mbështetës i politikave të Chavez, njohur ndryshe në vend si “chavism”.
Top Channel