Kuvendi i Kosovës është mbledhur për herë të parë në historinë e tij për të nderuar Epopenë e UÇK-së. Ky manifestim në Kosovë shënohet çdo 5, 6 dhe 7 mars, në përvjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe të dhjetëra anëtarëve të familjes Jashari.

Kjo seancë solemne filloi me himin e Kosovës dhe ngjashëm sikur herave të kaluara deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk u ngritën në këmbë. Në këtë seancë ku ra në sy mungesa e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se rënia e Jasharajve hapi kapitullin më të madh të zgjerimit të UÇK-së.

“Rënia e Jasharajve hapi kapitullin e zgjerimit dhe rritjes së UÇK-së. UÇK me një bazë të gjërë popullore ishte niveli më i lartë i organizimit politiko-ushtarak që kishte prodhuar ndonjëherë lëvizja atdhetare e Kosovës”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë me këtë rast se 15 vjet pas duhet të reflektojmë se çfare kemi realizuar dhe se çfare ka mbetur pa u bërë, ndërsa ka shtuar se nderimi e përkujtimi i detyrohet një ngjarjeje të madhe që e solli shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Hapja e faqes më të re të historisë, hapja e epoëkës së re, që na solli pavarësinë të formalizuar nga parlamenti më 17 shkurt 2008”, tha zoti Krasniqi.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, si propozuese e kësaj seance, deputeti Rexhep Selimi ka lexuar me radhë 57 emrat e Jasharajve që ranë në marsin e 1998-ës, ndërsa tha se nuk ka komb në botë që të ketë një Adem Jashari siç e kanë shqiptarët.

“Popujt dhe kombet kanë historitë e tyre. Në historinë e tyre kombët kanë bërë sakrifica të mëdha për lirinë, por nuk ka komb që të ketë një Adem Jashar, sic e ka kombi ynë, që të ketë një familje Jashari ashtu sic e ka kombi ynë”, tha zoti Selimi.

Në këtë seancë solemne kanë qenë një numër i madh të ftuarish, familjarë të dëshmorëve dhe personalitete të jetës politike e kulturore.

Adem Jashari nderohet me urdhërin e “Flamurit”

Udhëheqësi legjendar i luftës së Kosovës, Adem Jashari, është nderuar me urdhërin më të lartë, atë të Flamurit nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Ky titull iu dha ish-komandatit të UÇK–së me motivacionin:“Arkitekt dhe komandant i lëvizjes mbarëpopullore për çlirimin e Kosovës, i cili me shembullin e tij, deri në flijim, frymëzoi përpjekjet për liri e pavarësi të një populli të tërë”.

Dekorata iu dorëzua nipit të Adem Jasharit, Murat Jashari, në një ceremoni të organizuar në Presidence në kujtim të përvjetorit të epopesë legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti Nishani tha se sakrifica e komandant Adem Jasharit eshtë sot simboli i qëndresës në mbrojtje të trojeve të tyre ndaj spastrimit etnik.

”Sakrifica sublime, përkushtimi i Adem Jasharit dhe i të gjithë shqiptarëve të Kosovës është sot simboli i qëndresës ndaj agresionit dhe genocidit, është sot simboli i asaj çka popujt në të gjithë botën, në tërë historinë e tyre kanë luftuar për ta fituar, lirisë”, u shpreh Presidenti Nishani.

Ndersa nipi i Adem Jasharit, u shpreh se dekorata e akorduar nuk nderon vetëm Adem Jasharin, por edhe të gjithë pjesëtarët e familjes Jashari, të gjithë të rënët për liri.

Top Channel