Berisha: Rama të shmangë referendumin

07/03/2013 00:00

Në takimin e radhës me gazetarët, kryeministri Berisha i interpretoi deklaratat e ndërkombëtarëve kundër referendumit si thirrje ndaj kreut të opozitës Edi Rama për të votuar në parlament 3 ligjet e për ta shmangur këtë.

“Nëse zoti Rama nuk do referendumin është i lutur të vijë të votojë ligjet dhe sic kam deklaruar në parlament jemi të gatshëm të votojmë në cdo kohë. Uroj që zoti Rama me fjalën e Fules, Arvizut dhe Sekuit, e kujtdo, të mos e interpretojë si një thirrje për të mos votuar ligjet, por si një thirrje për të votuar ligjet sepse zoti Rama duke punuar për pas qershorit u deklaron shqiptarëve se miqtë tanë kontestojnë njohjen e rezultatit”, tha Berisha.

Deklarata e komisionerit Fyle ku lihej të kuptonte qendrimin e tij kundër referendumit, solli reagimin në Tiranë, fillmisht të kreut të komisionit të ligjeve, Ilir Rusmajli. Rusmajli replikoi se referendumi është e drejta e popullit për të vendosur që nuk mund t’i mohohet. Por sa rrezikojnë këto replika marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Komisionet, mes Tiranës dhe Brukselit?

Për kryeministrin Berisha Brukseli nuk thotë që referendumi të mos mbahet, por imponim ndaj logjikës bllokuese.

“Ata nuk po thonë që s’duhet të bëjmë referendum, por është imponim nga logjika bllokuese e një njeriu. Janë bërë të gjitha lëshimet, por lëshime që bien ndesh me Kushtetutën, absolutisht që nuk mund të bëjmë. Pse? Sepse e ndryshuam një herë Kushtetutën. Rama, nëse kundërshton, le të presim ta shohim se çfarë duan shqiptarët dhe të jeni të sigurt se ata do t’i votojnë me referendum”, tha Berisha.

Kryeministri la të kuptohet se Rama po kërkon alibi pas disfatës së radhës. Ai premtoi angazhimin maksimal të qeverisë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa akuzoi kreun e opozitës se po lobon për kreun e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin e 23 qershorit. Por as kjo, tha Berisha, nuk do ta shpëtojë Ramën.

“Zoti Rama me këtë u thotë socialistëve se ne nuk do njohim rezultatin. Do bëjmë gjithcka për zgjedhje të shkëlqyera që të krijojmë kushtet më optimale dhe Rama me idetë e tij për të demonizuar zgjedhjet apo me lobimet që bën është i dështuar. Ju e dini se kush ishte në krye në vitin 2009, kush ishte në krye të misionit (Odri Glover, kryetare e vëzhguesve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e 1996 dhe 2009), një njeri që unë për ca arsye nuk e kisha shpallur, pothuajse non grata dhe as kjo nuk e shpëtoi zotin Rama nga humbja”, tha Berisha.

Pyetjes nëse rritja e vëmendjes së ndërkombëtarëve për monitorimin e zgjedhjeve tregonte rritje të mosbesimit dhe përgjegjësisë së qeverisë për mbarëvajtjen e gjithë procesit, Berisha iu përgjigj:

“Monitorimi nuk është mosbesim, por një vlerësim i madh për zgjedhjet. Mbi këtë bazë, ftojmë të gjithë institucionet ndërkombëtare, Këshillin e Europës, Parlamentin Europian dhe këdo tjetër, që të ketë sa më shumë vëzhgues që të jetë e mundur, pasi kjo është në interesin më të mirë të vendit, por zgjedhjet do të jenë të shkëlqyera. Nuk ka nevojë…”, tha Berisha.

Kryeministri u pyet për foton e kupolës së policisë së shtetit me të akuzuarin për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Berisha tha se fotoja është krejt normale dhe e bërë në një kohë kur i akuzuari nuk rezultonte me precedentë penalë. Përkundër kësaj, Berisha sulmoi sërish kreun e PS-së duke deklaruar se po të niseshin akuzat nga fotot, Rama nuk do të ishte thjesht anëtar, por kryetar i “Hakmarrjes për Drejtësi”.

Lidhur me privatizimin e katër HEC-eve që parlamenti miratoi ditën e hënë, në një kohë kur vendi është pak muaj larg zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Berisha tha se vendimi për HEC-et është marrë që në korrik të vitit të kaluar, ndërsa shtoi se privatizimi i Albpetrol u pezullua pikërisht për faktin se ishim 6 muaj para zgjedhjeve.

Berisha premtoi edhe shlyerjen e borxheve që qeveria i ka biznesit si dhe mosrritjen më të borxhit kombëtar.

“Ja pse ekonomia s’ra në krizë”

Referuar akuzave dhe deklaratave të opozitës se ekonomia shqiptare është në krizë, Berisha deklaroi të kundërtën. Duke përdorur ekranin e madhe nga salla e konferencave të kryeministrisë, kreu i mazhorancës citoi disa deklaratave të institucioneve ekonomike dhe ndërkombëtare, që sipas tij, vërtetojnë se ekonomia shqiptare jo vetëm që nuk ra në recesion, por regjistroi edhe një rritje katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport thotë se Shqipëria i mbijetoi krizës dhe përgëzoi qeverinë shqiptare për reformat. FMN deklaron se ekonomia shqiptare ka qendruar jashtë krizës së Eurozonës. Dhe zv.presidenti i Bankës Botërore për Europën Juglindore dhe Azinë citon të njëjtën gjë. BERZH-i gjithashtu thotë se Shqipëria zbatoi reformat e duhura, për më tepër që në progres-raportin e 2012 të KE-së thuhet se Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makro-ekonomik”, deklaroi kryeministri Berisha.

Sipas kreu të qeverisë të gjitha këto raporte e citime faktojnë dy gjëra:

“Së pari ekonomia i rezistoi krizës dhe së dyti ekonomia shqiptare i rezistoi krizës falë reformave të gjithanëshme ekonomike që ndërmorëm para fillimit të krizës dhe këto reforma u shndërruan në mburojë të vërtetë për ekonominë tonë lidhur me krizën”, tha Berisha.

Por cilat ishin këto reforma që sipas Berishës mbrojtën ekonominë shqiptare. E para që kryeministri përmendi ishte taksa e sheshtë prej 10 përqindësh, uljen e kontributeve për sigurimet shoqërore, përgjysimi i taksës së biznesit dhe rritja e të ardhurave doganore dhe tatimore.

Berisha kritikoi programin qeverisës të opozitës për taksën progresive. Edhe në këtë dalje, Berisha e cilësoi atë një taksë marksiste që sipas tij nxit evazionin fiskal dhe shton urrejtjen klasore.

Top Channel