“Qeveria e Kosovës do të arrijë marrëveshje me Bashkimin Europian në mënyrë që Serbia t’i shpërbëjë strukturat e saj nga veriu i Kosovës”.

Kështu tha kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e radhës së kabinetit qeveritar. Ai shtoi se faktori ndërkombëtar nuk kërkon nga pala kosovare që të bëjë marrëveshje me Serbinë në dëm të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Thaçi bëri gjithashtu të ditur se shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, do të vizitojë Kosovën. Baronesha Ashton do të zhvillojë takime me lidershipin kosovar. Burime qeveritare thonë se vizita ka gjasa të ndodhë para takimit të 20 marsit Thaçi-Daçiç në Bruksel.

“Por ajo që është me rëndësi është se definitivisht jemi duke shkuar drejt arritjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian, që Serbia duhet të pranojë shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë edhe në veri të Kosovës, ndalimin e plotë të financimit të këtyre strukturave nga Serbia, ndalimin e çdo elementi serb aty nga Serbia. Gjithashtu, jemi duke lëvizur drejt dakordimit të sistemit të drejtësisë edhe në veri të Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës. Ndërkohë, do të bëhet edhe adaptimi i strukturave të edukimit dhe të shëndetësisë”, deklaroi Thaçi.

Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, kryeministri Thaçi tha se do të funksionojë në bazë të një rregulloreje të punës, nuk do të ketë pushtet ekzekutiv, si dhe do të krijohet pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat veriore.

“Prandaj, zërat se do të këtë Republikë Serbe, ndarje të Kosovës, apo “Ahtisari Plus”, thjesht janë opionione në shtypin e verdhë të Beogradit. Gjëra të tilla as që ka ngritur dikush në takim”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi bëri kërkesë për të raportuar këtë javë edhe në Kuvendin e Kosovës mbi takimin e gjashtë me homologun serb.

Top Channel