Fatos Baxhaku – Publikimi i fotos ku Kuliçaj, zyrtar i lartë i Policisë,
dhe Arben Frroku, i dyshuar për vrasjen e komisarit të Policisë Dritan
Lamaj, i bien me gaz çiftelisë, më shumë u përdor si armë politike se sa
habiti ndokënd.
E para se tashmë po bëhen do kohë që kemi nisur të humbasim ca nga ca sensin e habisë, dhe, e dyta sepse të gjithë shqiptarët e dinë, i njohin, i kanë parë disa lidhje fort të dyshimta mes zyrtarësh të lartë – për hir të së vërtetës jo vetëm të Policisë – që qëndrojnë shpesh në shoqërinë e disa tipave të veçantë.
Këta të fundit, janë të sigurt në vetvete. Me flokë të prera shkurt, ata, kur nuk pinë duhan, mbllaçitin pa pushim çamçakëz duke folur me zë të lartë në celularët e tyre të markës së fundit: Jom ktu me X Ministër, t’shof mos e nimoj i çikë. Gjynof se osht dora jonë ky! Veshjet i kanë zakonisht nga më të shtrenjtat, sepse ka disa kohë që kanë mësuar edhe termin “firmato”. Nuk po flasim për makinat. Ato duhet të përmbushin tri kushte: të jenë prodhim i 2011 e lart, të kenë detyrimisht ngjyrë të zezë, sepse ajo ngjall respekt, të ketë xhama të errët.
Nëse ndonjë polic i shkretë beson ende në detyrën që i kanë caktuar, dhe bën ndonjë “shaka” të tipit t’i vërë gjobë, ose ndonjë “shaka” tjetër të hidhur, atëherë ai shahet mbarë e prapë “me rob shpie”, sikurse thonë vetë të fortët dhe më pas mikut të madh në zyrë i kërkohet pushimi i tij.
Ne që kërkojmë të hyjmë në Europë, nuk jemi gjë tjetër veçse një popull ku vendosin të fortët, ata që duan të riciklojnë paratë e gjetura kush e di se ku, ata që me ngazëllim të madh kalojnë nga tutat sportive te kostumet e shtrenjta, ata që nuk e kanë për gjë ta harrojnë kioskën prej llamarine të ndryshkur, atje ku e nisën aventurën për të dalë më pas në hotelet më luksoze të Tiranës. Nuk është vetëm punë e historisë së fundit, ku mbeti i vrarë i ndjeri Komisar, Dritan Lamaj, histori të tilla kanë ndodhur plot, dhe më e keqja është se me sa duket do të ndodhin edhe në të ardhmen. Kjo është ajo se çfarë duhet të diskutojnë politikanët dhe jo të merren me gurin e fundit të gjerdanit, sado histori e dhimbshme të ishte. Por ata nuk merren dot, sepse shumë të fortë të tjerë janë atje, gati duke mbllaçitur çamçakëz dhe duke qeshur nën buzë: Po ho mër ti! U bo edhe ky qyrraveci që e majsha me lekë!?
Problemi ynë më i madh është se ne ende kemi në koshiencën, apo në subkoshiencën tonë kultin e të fortit. Kjo vjen nga një histori e gjatë. Sa më shumë respektojmë kultin e trimit, të atij që vret pa mëshirë majtas e djathtas, të atij që hidhet e bie pa ndonjë arsye evidente mbi tank, në një kohë që kishte të gjithë rrugën e hapur të për të ikur nga dera e pasme e oborrit, apo të trimave anonimë që i vinin gjoksin topit, për aq kohë ne vazhdojmë të mos respektojmë mendjen, tolerancën, idetë, dialogun, bashkëshkuarjen…
Sa për të parë pak se kush kanë qenë paraardhësit e të fortëve tanë të sotëm të lidhur me politikën si mishi me kockën, kini mirësinë e durimin të lexoni vetëm këto pak radhë.
Mustafa Kruja, në të mirë a në të keq (1887-1958) është një nga personalitetet më në zë të politikës shqiptare të shekullit XX. I ungji i tij, Haxhi Merlika, i quajtur nga të gjithë banorët e Krujës Xhiu i Fajës, ishte roje e Gani Bej Toptanit, vëllait të Esad Pashë së famshëm. Ky Xhiu, për një llaf goje dhe për një sherr banal në kullotë kishte vrarë një bashkëqytetarin e tij dhe andaj kishte kohë që ishte i ngujuar, porse tashmë ishte një i ngujuar i fortë, që madje vendoste edhe gjëra të rëndësishme në shtëpinë e politikanit që e paguante. Nuk shkoi shumë dhe Gani bej Toptani u vra për punë të veta nga një adjutant i sulltanit. Atëherë Xhiu i Fajës merr udhën për të vrarë gjakësin që kish vrarë të zotin e tij. Kjo ndodh në 1899. Para se të nisej shtroi një darkë të madhe që zgjati dy ditë e dy net. Po në atë vit, Xhiu vret mbi urën e Gallatës në Stamboll, të birin e Refat Pashës, Vezirit të Madh të kohës. Në 1908, me shpalljen e “Hyrijetit” të xhonturqve, Xhiu lirohet dhe kthehet triumfator në Krujë. Jetoi edhe nja dhjetë vjet të tjera deri sa vdiq me idenë se ishte më i forti i Krujës.
Një djalë i tij, Sula, ndoqi rrugën “legjendare” të të atit. Ky njihet si vrasësi i Abdyl Ypit, në janar të 1920-s. “Faji” i Abdylit fatkeq ishte se kishte guxuar ta etiketonte Qeverinë e Durrësit si të shitur tek Italia. Megjithatë, Sula i Xhiut të Fajës vazhdonte të ishte krenar për atë çka kishte bërë, ndërsa politika vazhdonte lojën e saj tinëzare.
Pas disa kohësh dalin në skenë të tjerë të fortë. Një nga më të njohurit prej tyre ka qenë i famshmi Osman Gazepi, për të cilin thonë se kishte dorë të rëndë. Osmani, njeri i pushkës dhe i dajakut, por jo i mendjes, kishte nevojë për një prijës me para. Këtë e gjeti, ai ishte Ahmet Zogu. Gojët e liga thonë se ai ishte bërë deri në atë pikë besnik i Zogut, ende të pashpallur mbret, sa që çdokujt që vinte në audiencë të Kryeministrit i vinte gishtin me nder nga pas. Por kjo me siguri është një teori e sajuar nga kundërshtarët e Zogut. Kur në shkurt të 1924, Beqir Valteri, një matian, tentoi t’i merrte jetën Ahmet Zogut në Parlament, Osmani i fortë nuk la mur pa qëlluar për të shprehur besnikërinë e tij ndaj Ahmetit në një kohë që atentatori ishte mbyllur në banjën e Parlamentit duke kënduar këngë patriotike. Osmani më pas vazhdoi të luajë të fortin. Ai ishte një ndër partizanët në moshë më të madhe të formacioneve të drejtuara nga Partia Komuniste, kundërshtarja më e madhe e Ahmet Zogut. Ja pra se edhe të fortët nuk janë aq besnikë sa duken a sa shtiren. Kanë edhe ata frikat e tyre.
Meqë ra fjala te periudha e Zogut. Në 1935, në gusht, një revoltë e nxitur nga jashtë dhe e drejtuar me nxitim nga një grup ushtarakësh të pakënaqur, tentoi të rrëzonte regjimin e Mbretit Zog I. Kjo ngjarje që nganjëherë është quajtur edhe me titullin bombastik “Revolta e Fierit” u shtyp me dhunë nga xhandarmëria e kohës. Një ndër personazhet, antizogist i njohur, ka qenë edhe skraparlliu Xhelal Staravecka, një tjetër i fortë.
Ky, oficer i asaj kohe, u arrestua dhe u torturua keqas, të paktën kështu shkruan në kujtimet e tij të botuara në Shqipëri tash së voni. Staravecka, ish-komandant partizan, pastaj bashkëpunëtor i gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore, i dënuar për krime lufte si në Shqipëri ashtu edhe në Itali, vdiq në 1960 në emigracion politik në Paris. Vetë ai kujton se së bashku me Abaz Shehun, një tjetër figurë e njohur e LANÇL në Jugun e Shqipërisë, në 1939 me të dalë nga burgu, e kishin rrahur aq keq prokurorin Kiço Bisha në kafe “Kursal” në mes të Tiranës saqë ky, pas një muaji, kishte dhënë shpirt në spital. Më e rëndësishmja është se Xhelalit nuk i vjen aspak keq për atë që ka bërë. “Ishte një hakmarrje kombëtare”, thotë fare thjesht dhe fare i bindur. Nëse kjo histori kishte ndonjë punë me ligjin, kjo atij nuk i intereson aspak.
Kjo traditë, e të përdorurit të të fortëve nga ana e politikës mund të shkojë shumë gjatë dhe andaj nuk është as vendi dhe as koha që të zgjatemi shumë. Shumëkujt ende i kujtohet 1997 e mbrapshtë. Problemi ynë, i të gjithë shqiptarëve, duhet të jetë aleanca e fshehtë mes politikës dhe të fortëve. Së parës i duhen këta njerëz që kanë ëndërruar të pasurohen shpejt, i nevojitet çmenduria dhe guximi i tyre, e shpesh edhe vetëbesimi i tyre. Janë ata të cilëve iu dëgjohet zëri, që i sjellin para sa herë që kanë nevojë, që i mbulojnë ndonjë vrimë që nuk duhet ta marrë vesh publiku, por edhe që dalin sa herë që të jetë nevoja përballë të fortëve të krahut tjetër.
Të dytët, të fortët, sigurisht që janë më ndryshe. Është një veti e kahershme e të fortëve. Këta, vjen një kohë e lodhen nga të qëndruarit në pritë, nuk e kanë fort qejf që t’ia kujtosh historitë e vjetra, duan më në fund që të bëjnë një jetë si gjithë të tjerët. Duan sidomos që fëmijët t’i shkollojnë ndër kolegje të huaja dhe që të nisin të merren me libra, teatro, sport, bamirësira. Por ndërkohë është tepër vonë. Edhe atyre, njësoj sikurse politikanëve, u duhet ta hedhin vallen e nisur deri në fund. Dhe pastaj, shumë prej tyre dalin në lajmet e mbrëmjes, të tradhtuar edhe nga politikanët të cilët “i kanë mbajtur me bukë”.
Ky është problemi ynë i madh. Sa kohë të dy krahët e mëdhenj të politikës do të vazhdojnë të mbështeten mbi të ashtuquajturit të fortë, nga frika e një 1997 tjetër, nga mosbesimi në idealet e tyre, nga mungesa e ideve dhe nga mosnjohja e vendit, nga paaftësia për të pasur aleat popullin dhe jo individë të dyshimtë, dhe, me sa pamë, të ushqyer edhe nga një goxha traditë e fortë dhune, po për aq kohë të gjitha parullat zulmëmëdha të tipit “drejtësi”, “antikorrupsion”, “shtet ligjor” e të tjera do të tingëllojnë si fjalë të ardhura nga një univers tjetër.
Top Channel