Laboratori i certifikuar ndërkombëtar në Itali konfirmon dyshimet e Agjencisë Kosovare të Veterinarisë dhe Ushqimit, për prezencën e aflatoksinës në qumështin e prodhuar në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Hungari dhe Maqedoni.

Nga 12 prodhimet e qumështit të dy kompanive të shqipërisë, të cilat u dërguan jashtë shtetit për superanalizë, vetëm një rezulton me përmbajtje të aflatoksinës brenda normës së lejuar, e cila dhe do të kthehet menjëherë në treg.

Rezultatet i publikoi drejtori i agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë, Valdet Gjinovci. Megjithatë, ai sërish nuk publikoi përqindjen e aflatoksinës në qumësht duke thënë se prezencë e lartë nënkupton shifrën e cila tejkalon normën e Bashkimit Europian, prej 0.05 mikrogram për litër.  

“Kemi një ngarkesë aflatoksine që ka rezultuar pozitive siç u konfirmua në laboratorin këtu dhe në laboratorin e akredituar në këtë fushë në Itali. Për këtë arsye, në bazë të normativës së Bashkimit Europian, këto produkte tejkalojnë vlerën e lejuar të aflatoksinës, siç e kanë konfirmuar edhe analizat”, deklaroi Valdet Gjinovci, kryeshef i AKUV-së.

Nga ana tjetër, mbetet e paqartë qasja e Agjencisë Kosovare të Ushqimit ndaj Qumështit që prodhohet në Kosovë. Zyrtarët e agjencisë, më herët kishin konstatuar se produktet e qumështit të prodhuar në Kosovë nuk përmbajnë aflatoksinë mbi normën e lejuar.

Por, agjencia nuk ka  publikuar ato seri  qumështi  të cilave u janë bërë analizat.  Kjo nuk u publikuan as në këtë konferencë me arsyetimin se nuk dëshirojnë t’i bëjnë reklamë asaj apo kësaj marke të qumështit, pavarësisht insistimit të gazetarëve.

Nga deklaratat e kryeshefit të agjencisë, Valdet Gjinovci, nuk del gjithashtu e qartë idea nëse qumeshti vendor do të dërgohet apo jo për analizë jashtë vendit duke qenë se ekziston mundësia e gabimit sikurse që ndodhi me disa nga seritë e posa publikuara të cilat agjencia i kishte nxjerre pozitive me aflatoksinë, por ato rezultuan negative nga laboratori italian.  

“Nëse do të përmendim kompanitë vendore të prodhimit të qumështit do të bënim publicitet. Kompanitë vendore, pra ato që kanë si subjekt përfundimtar prodhimin dhe tregëtimin e qumështit, kanë rezultuar nga analizat e bëra brenda normativës së lejuar. Nuk përjashtohet mundësia që në analizat e ditëve në vazhdim të ketë ndonjë kompani që e tejkalon normën, por tani për tani nuk ka asgjë të tillë. Këto që kemi analizuar, nuk do t’i identifikojmë me emër, pasi kështu do të bënim publicitet për njërën apo tjetrën markë”, shtoi Gjinovci.

Z. Gjinovci iu shmang edhe pyetjes nëse është konsultuar me zyrën e kryeministrit, monitoruese e punës së agjencisë, për largimin e produkteve të qumështit nga tregu, një veprim ky që nxiti edhe përplasjen me autoritetet qeveritare në Shqipëri.

Bëhet fjalë për rreth 300 mijë litra qumësht, të cilat aktualisht janë nën masën e ndalimit për konsum. Ndërsa ato të cilat nuk përmbajnë lëndë helmuese do të rikthehen në raftet e dyqaneve, të gjitha të tjerat do të kthehen në vendin e origjinës.

Që këtej e tutje, fabrikave prodhuese,  produktet e të cilave rezultuan pozitive në aflatoksinë nuk do ta kenë të ndaluar eksportin në Kosovë, por siç njofton agjencia,  të gjitha ngarkesat do t’i nënshtrohen kontrollit të detajuar në kufij dhe vetëm ne kohen kur parametrat do të dalin brenda limiteve të lejuara për konsum do të lejohen të futen brenda vendit për tregtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA