OKB: Një milionë refugjatë sirianë

06/03/2013 15:20

Numri i refugjatëve sirianë në vendet fqinje ka kaluar kufirin e një milionë personave, informoi Organziata e Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e publikuar të mërkurën, komisioneri për refugjatët e luftës, Antonio Guterres, u shpreh “veçanërisht i shqetësuar” për faktin se numri i refugjatëve ka shënuar një rritje drastike, në dy muajt e parë të 2013-s, shenjë e qartë e ashpërsimit të luftimeve në Siri.

400 mijë nga një milionë të larguarit nga vendi i përfshirë prej dy vitesh në luftë civile braktisën Sirinë vetëm në janar.

Shumica e refugjatëve janë fëmijë, shumica nën moshën 11-vjeçare dhe tejet të traumatizuar nga eksperienca e luftës që kanë përjetuar.

Turqia dhe Libani janë destinacionet kryesore për refugjatët sirianë, por destinacione të tjera janë Jordania, Iraku dhe Egjipti.

Në të dhënat e fundit përjashtohen disa dhjetëra mijëra refugjatë të rinj, të cilët kanë kaluar kufirin dhe presin të regjistrohen.

”Kriza siriane po përshkallëzohet në një katastrofë të plotë”, deklaroi Guterres. “Kjo tragjedi duhet të ndalohet. Dëmet njerëzore dhe materiale në vend janë katastrofike, rrjedhojat pritet të jenë afatgjata, ndërsa numri i madh i refugjatëve po vendos nën presion rezervat e vendeve fqinje gjithmonë e më shumë”.

Ndërkohë, Britania e Madhe vendosi të mërkurën që të realizojë për herë të parë, zyrtarisht, dërgesa armatimesh për kryengritësit.

Sipas “BBC”, Londra vendosi ditën e mërkurë që të furnizojë rebelët me autoblinda, në mënyrë që t’u ofrojë atyre mbrojtje në transport nga armët e këmbësorisë së ushtrisë së Bashar al-Assad dhe pjesërisht edhe nga artileria.

Më parë, SHBA kishte vendosur që të furnizonte kryengritësit me materiale jo luftarake në shërbim të luftës, midis të cilave radiokomunikimi, mjekime të ndihmës së parë dhe vaksina të tjera për të ndaluar përhapjen e sëmundjeve.

Kryengritësit po financohen gjithashtu me një fond të posaçëm për të organizuar njësi policore dhe të administratës në krahinat e mbajtura të pushtuara prej tyre.

Lufta civile në Siri, një vend me 22,5 milionë banorë, i ka kushtuar jetën të paktën 70 mijë sirianëve. Një milionë të tjerë janë refugjatë, po kaq të rrezikuar drejtëpërdrejtë nga uria, etja dhe mungesa e ushqimeve në Siri, ndërsa 4-5 milionë sirianë llogaritet të kenë humbur banesat ose të jenë zhvendosur brenda vendit gjatë konfliktit.

Top Channel